Aksionet për çlirimin e Çorovodës

Lexo ngjarje:

U zhvilluan “Aksionet për çlirimin e Çorovodës”, luftime sulmuese kundër pushtuesve fashistë, të kryera nga njësitet partizane në fazën e parë (korrik 1942–prill 1943) të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Aksionet për çlirimin e Çorovodës filluan me rrethimin, kapjen dhe çarmatimin e plotë të një kompanie milicësh në fshatin Melovë të Skraparit dhe vazhduan intensivisht, sidomos më 3–5 shtator kundër 1000 milicëve e karabinierëve, deri me çlirimin e Çorovodës më 5 shtator 1942. Më 11–13 shtator armiku ndërmori një operacion me forca më të shumta për të ripushtuar Çorovodën dhe për të rivendosur në tërë krahinën e Skraparit regjimin e pushtimit, por nuk mundi të realizojë synimet. Veprimet sulmuese të çetave partizane në krahinën e Skraparit vazhduan pa ndërprerje edhe gjatë tetorit e nëntorit 1942. Më 7 dhjetor u asgjësua detashmenti i vetëm fashist i mbetur në Çorovodë. Më 11 dhjetor armiku ndërmori, nga disa drejtime, një operacion në shkallë të gjerë, i mbështetur edhe nga aviacioni. Kolonat e armikut u vunë në goditje të pareshtura të partizanëve të zonës, të bashkërenduara me veprimet e njësiteve guerile në Berat dhe Lushnjë. Partizanët rrëzuan dhe dy aeroplanë të armikut. Çorovoda u çlirua përfundimisht dhe u bë një nga bazat më të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. (Në fotografi: Pamje nga Çorovoda.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 37-38.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/%C3%87orovod%C3%AB

Përpunim grafik: AHF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img