Në Elbasan lindi Ahmet Dakli, veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Ishte një ndër organizatorët e Kongresit të Elbasanit (shtator 1909), veproi përkrah Luigj Gurakuqit e Aleksandër Xhuvanit për hapjen e shkollës “Normale” të Elbasanit, luftëtar në çetën e Martaneshit (1912). Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës (1912) për Shpalljen e Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u ngarkua me detyrën e sekretarit të Ministrisë së Financave, bashkëpunëtor dhe këshilltar i Aqif Biçakut. Luftoi kundër qëndrimeve separatiste të Esat Toptanit. Përkrahu Luftën e Vlorës të vitit 1920. Gjatë vitit 1921 qe ministër i Financave në qeverinë e Pandeli Evangjelit dhe të Hasan Prishtinës. Botoi në Elbasan gazetën “Ura e Shkumbinit”. Përkrahu Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 dhe qeverinë e Fan S. Nolit. Pas dështimit të tij u largua nga Shqipëria. U rikthye në vend duke përfituar nga amnistia dhe pranoi detyrën e kryetarit të bashkisë në Durrës (1929–1937) dhe në Elbasan (1937–1939). Me pushtimin fashist të Shqipërisë u arrestua dhe u internua në Itali. I dha fund jetës më 1947, si pasojë e përndjekjeve nga regjimi komunist. (Në fotografi: Ahmet Dakli)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 411.
Fotografia: © https://adsh.al/s/adsh/item/13805
Përpunim grafik: AHCF




