Më 22 prill 1924, në fshatin Postenan të Leskovikut lindi Aleksandra Mano, e para arkeologe shqiptare, specialiste në periudhën e antikitetit, profesore. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si partizane në Çetën e Çermenikës (1942). Kreu studimet e larta në degën e historisë në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës (1955) dhe nga ai vit filloi punën në fushën e arkeologjisë në Institutin e Shkencave. Ka drejtuar gërmime në qendra të rëndësishme antike, midis të cilave vendin kryesor e zë qyteti i Apolonisë, në Dyrrah, Dimal, Olympe etj. Veprimtaria studimore e Aleksandra Manos është pasqyruar në mjaft studime e artikuj. Me interes janë punimet për Nekropolin tumular e të rrafshit të Apolonisë dhe aspektet e kolonizimit helen në Ilirinë e Jugut. Ndihmesë të veçantë përbën monografia “Apolonia e Ilirisë” (2006). (Në fotografi: Aleksandra Mano)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1625.
Fotografia: © Akademia e Studimeve Albanologjike
Përpunim grafik: AHCF




