Kahreman Ylli

Lexo ngjarje:

Më 22 prill 1917, në Leshnjë të Skraparit lindi Kahreman Ylli, veprimtar i lëvizjes antifashiste, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, funksionar i lartë i shtetit dhe i Partisë së Punës të Shqipërisë, Mësues i Popullit. Kreu Normalen e Elbasanit dhe shërbeu si mësues në Zaloshnjë (Skrapar, 1935–1936). Në vitet 1936–1938 ndoqi studimet e larta në Akademinë Pedagogjike të Lionit (Francë). U lidh me lëvizjen antifashiste të emigracionit politik përparimtar shqiptar në Francë, u bë anëtar i shoqërisë “Vëllazëria” të Lionit dhe bashkëpunoi me gazetën “Populli”. Anëtar i Partisë Komuniste Franceze (1937). Pas kthimit në atdhe (tetor 1938), shërbeu në detyra të ndryshme në fushën e arsimit. Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare menjëherë pas themelimit të saj. U hodh në ilegalitet, në prill 1943. Si sekretar politik i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare për Beratin, punoi për krijimin e çetave e të njësive partizane, për ngritjen e këshillave nacionalçlirimtarë dhe mobilizimin e popullit në luftë kundër fashizmit. Vuri në dispozicion të luftës tërë pasurinë e familjes së tij dhe e ktheu shtëpinë në bazë kryesore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Komisar i shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare për qarkun e Beratit (gusht 1943). Pjesëmarrës në Konferencën I të vendit të Partisë Komuniste Shqiptare (mars 1943) dhe në Kongresin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar (Përmet, maj 1944), ku u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe komisar i Brigadës XIV Sulmuese (gusht 1944). U plagos në luftimet për çlirimin e Sarandës (tetor 1944). Pas kurimit në spitalin e aleatëve në Taranto (Itali), u kthye në atdhe (dhjetor 1944). U ngarkua me një varg detyrash, si: përfaqësues i shtetit shqiptar pranë Agjencisë së Dëmshpërblimeve Gjermane në Bruksel (mars 1946), ministër fuqiplotë në Francë (maj 1946 – dhjetor 1948), anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1946), anëtar i delegacionit shqiptar në Këshillin e Sigurimit (Nju-Jork) dhe përfaqësues i shtetit shqiptar në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës (1947) për çështjen e incidentit të Kanalit të Korfuzit. Më pas punoi në sektorin e arsimit e të kulturës: ministër i Arsimit (1949–1952), kryetar i Komisionit Kombëtar për Luftën kundër Analfabetizmit (1949–1957), zv.ministër i Arsimit dhe Kulturës (1952–1961), rektor i Universitetit të Tiranë (1961–1970). U zgjodh kandidat i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë në Kongresin IV të Partisë së Punës të Shqipërisë (1961) dhe anëtar i Komitetit Qendror në Kongresin VI (1971). Kahreman Ylli ka dhënë ndihmesë për zgjerimin e sistemit arsimor dhe ngritjen e nivelit shkencor të tij; ka drejtuar mjaft reforma në arsim e shkencë. Deputet i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në vitet 1966–1975. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. (Në fotografi: Kahreman Ylli)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2963–2964.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Hil%C3%AB_Mosi

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img