Më 14 prill 1966 u zbulua Amfiteatri i Durrësit, i ndërtuar në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit I pas Krishtit. Pushtimi romak ndërpreu për një kohë stilin normal të jetës ekonomike, politike dhe kulturore të Ilirisë. Kështu u zhdukën një numër i madh qytetesh, sidomos në Epir, ndërsa qytete të tjera u kufizuan. Dyrrahu dhe Apolonia, duke u gjendur në kalimin e rrugëve kryesore, përkundrazi vazhduan të zhvillohen. Në fillim të erës së re ato ndryshuan pamje. U krijuan forma të reja arkitektonike nga materiale ndërtimi me struktura prej tullash e llaçi, siç ishin amfiteatrot, dëshmuar deri më sot vetëm në Dyrrah. Amfiteatri i Durrësit është monumenti më i madh i lashtësisë me gjatësi 150 m dhe lartësi mbi 20 m. Qyteti i Dyrrahut, i kthyer në koloni romake, u bë qendra kryesore ekonomike e Ilirisë. (Në fotografi: Moment gjatë punimeve në Amfiteatrin e Durrësit, 1966.)
Teksti: Vangjel Toçi, Amfiteatri i Dyrrahut, 1971, “Monumentet”, nr. 2, faqe 39–40.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




