Më 2–3 prill 1910 zhvilloi punimet Kongresi i Dytë i Manastirit. Në gjendjen e acaruar të marrëdhënieve shqiptaro-turke, kur konflikti me xhonturqit për çështjet e kulturës shqiptare kishte arritur kulmin, atdhetarët shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër kombëtar, Kongresin e Dytë të Manastirit. Ky tubim u thirr me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit. Në Kongres morën pjesë 20 delegatë, që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, si edhe klubet shqiptare të Stambollit, të Selanikut e të qendrave të tjera. Kongresit i erdhën telegrame përshëndetjeje nga anë të ndryshme të Shqipërisë dhe nga shoqëritë atdhetare të mërgimit. Ndryshe nga kongreset e mëparshme kombëtare, në këtë kuvend pati një numër mjaft të madh delegatësh nga qytetet e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit, nga Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Vuçiterna, Shkupi, Tetova, Dibra, Struga, Ohri etj. Midis delegatëve ishin Dervish Hima, Fehim Zavalani, Petro Nini Luarasi, Hysni Curri, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Qamil Shkupi, Gjergj Qiriazi, Bejtullah Gjilani, Themistokli Germenji, Tefik Panariti, Hajdar Blloshmi, Abdullah Efendiu (nga Struga), Qazim Iliaz Dibra, Rexhep Mitrovica, Xhafer Kolonja etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Bedri Pejani, ndërsa sekretarë Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi. Qëllimi i këtij Kongresi ishte të diskutonte çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen e shkollës, të shkrimit e të kulturës kombëtare kundër reaksionit xhonturk dhe kundër politikës asimiluese të xhonturqve. Kongresi do të merrte masa të mëtejshme për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe për zhvillimin e kulturës shqiptare në tërësi. Aktet kryesore të Kongresit të Dytë të Manastirit ishin Programi prej 10 pikash dhe një Promemorje prej 4 pikash, që iu dërgua qeverisë turke. Në këto dokumente parashikoheshin masa të rëndësishme për zhvillimin e arsimit kombëtar, për mbrojtjen e alfabetit të shqipes, për botimin e librave dhe të teksteve shkollore shqipe. Për këtë qëllim, pranë klubit qendror do të ngrihej një komision arsimor-kulturor, që në program quhej Akademi, i cili do të merrej me botimin e teksteve shkollore, të veprave letrare dhe të një fjalori shqip-turqisht e anasjelltas. Parashikohej të hapej në Shkup një shkollë normale me konvikt, e ngjashme me atë të Elbasanit, ku të themelohej një gazetë e re në shqip dhe në turqisht, me anën e së cilës do të informoheshin shqiptarët dhe opinioni publik evropian për ngjarjet e rëndësishme që po zhvilloheshin në këtë vilajet. Kongresi i Dytë i Manastirit, ashtu si mitingjet, protestat dhe manifestimet e tjera që u zhvilluan në Shqipëri në pragun e këtij kuvendi, në shkurt-mars të vitit 1910, shprehën vendosmërinë e shqiptarëve për mbrojtjen e shkrimit shqip, të shkollës dhe të kulturës kombëtare në tërësi. Ato ishin, njëherazi, një paralajmërim për kryengritjen e armatosur që do të shpërthente në pranverën e vitit 1910. (Në fotografi: Delegatë pjesëmarrës në Kongresin e Dytë të Manastirit, 1910.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 423–425.
Fotografia: © Kotherja N., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHF




