Prenk Pervizi

Lexo ngjarje:

Në fshatin Skuraj të Kurbinit lindi Prenk Pervizi, oficer madhor i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, gjeneral divizioni. Shkollën e mesmen e kreu në kolegjin françeskan, në Shkodër. Studimet e larta i kreu në Shkollën e Kadetëve në Vjenë (1914–1918), ku zuri miqësi me Ahmet Zogun. Pas përfundimit të studimeve, u kthye në Shqipëri. Në tetor 1918 u emërua rrethkomandant i Krujës, me gradën n/toger. Në janar 1920 mori pjesë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. Më vonë u caktua në Tiranë, pranë Komandës së Përgjithshme. Në këtë kohë u gradua kapiten dhe u transferua në Shijak. Më 8 tetor 1922 shtypi grushtin e shtetit dhe u gradua kapiten i klasit I. Më 10 qershor 1924, u largua bashkë me qeverinë e Zogut në Jugosllavi, prej nga u kthye më 18 dhjetor të po atij viti. Dy vite më vonë, në dhjetor 1926, drejtoi forcat qeveritare për shtypjen e Kryengritjes së Dukagjinit. Në shtator 1929, tashmë major, filloi Shkollën e Luftës në Torino. Më të mbaruar shkollën më 1933, u gradua nënkolonel, u caktua inspektor i studentëve shqiptarë të Italisë dhe u vendos në Firence. Në fillim të vitit 1935 u kthye në Shqipëri dhe u caktua Komandant i Qarkut të Korçës. Po atë vit u kthye pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, me detyrë organizative. Nga dhjetori 1935 deri në prill 1936 u caktua pjesëtar i Komisionit Ndërkombëtar ku u bashkua me misionin anglez. Pas largimit të tyre, në vitet 1944–1946 qëndroi në mal me forcat antikomuniste. Brigadat partizane dogjën kullat e Pervizajve në Laç (shtator 1943) dhe në Skuraj (17 janar 1945), kurse shtëpinë në Tiranë ia konfiskuan. Në shtator 1946 u arratis në Greqi, ku u mor me organizimin e forcave ndërhyrëse kundër regjimit në Shqipëri. Në Greqi qëndroi plot nëntëmbëdhjetë vjet, deri më 1965. Më 15 shkurt 1966 u transferua në Belgjikë, si refugjat politik. U nda nga jeta në qytetin La Louvière dhe u varros në varrezat Saint Pierre Hainaut të qytetit. (Në fotografi: Prenk Pervizi)

Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2017, faqe 261–262.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Prenk_Pervizi

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img