Në Kavajë lindi Agim Krajka, kompozitor dhe fizarmonicist, Artist i Merituar. Në Kavajë, që në moshë të re mësoi fizarmonikën, me të cilën u bë më pas shumë i njohur. Në vitet 1963–1968 kreu studimet e larta për kompozicion në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, duke qenë njëkohësisht dhe fizarmonicist i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku punoi deri më 1991. Si drejtues i formacionit instrumental të atij institucioni, përpunoi shumë këngë e valle popullore, kompozoi muzikë në stil popullor, si edhe muzikë filmi dhe pjesë të ndryshme për fizarmonikë. Me këngë si “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Ne jemi tre” etj., përfaqësoi prirjet më progresive për emancipimin e muzikës së lehtë shqiptare në vitet 1960–1980. Duke qenë dhe instrumentist virtuoz, realizoi një numër shumë të madh koncertesh në Shqipëri e Kosovë dhe në turnetë e organizuara nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore jashtë vendit (Kinë, Greqi, Itali, Turqi, Algjeri, Tunizi, Egjipt, Norvegji, Suedi, Gjermani, Austri, Zvicër, USA, Australi, Kanada etj.). Disa herë fitues i çmimeve në festivalet e përvitshme të këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitet 1991–2006 ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (Në fotografi: Agim Krajka)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1335.
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




