Lindi në Shkodër Ndrek Shkjezi, aktor, Artist i merituar. Qysh 16 vjeç u aktivizua në lëvizjen amatore teatrore të qytetit të lindjes, fillimisht në një orkestrinë të vogël, pastaj nisi të këndonte në intemexo, më vonë luajti rolin e një të dehuri dhe të një dentisti. Pasi mbaroi ushtrinë u shpërngul nga qyteti i tij i lindjes, u vendos në Tiranë dhe hyri në Ansamblin e Ushtrisë si këngëtar. Më 1945 filloi punë në Teatrin e Shtetit, si një nga aktorët themelues të tij; e ndërpreu punën për tre vjet (1947–1950), kohë kur kreu shërbimin ushtarak, dhe vazhdoi në këtë teatër gjersa doli në pension, më 1977. Krijoi rreth 70 figura nga më të ndryshmet. Ndrek Shkjezi ishte një nga aktorët më të suksesshëm të “roleve të vogla”; u shqua për ndërtimin e karaktereve të mëvetësishme. Ishte mjeshtër i gjestit të figurshëm, i gjetjes së një cilësie thelbësore për portretizimin e personazheve. Ndrek Shkjezi përdorte detaje shprehëse, si në trajtimin plastikor të figurës, ashtu edhe në trajtën e konceptimit të saj. Nga mënyra e aktrimit të tij buronte një humor i hollë, i shpenguar, por me përmbajtje e teh të mprehtë. Herë-herë shfrytëzonte elementet e groteskut, veçse të përthyera nën lenten e një satire fshikulluese. U nda nga jeta në vitin 2002. (Në fotografi: Ndrek Shkjezi)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://ata.gov.al/2022/04/04/perkujtohet-ne-100-vjetorin-e-lindjes-aktori-ndrek-shkjezi/
Përpunim grafik: AHCF




