Numri i parë i gazetës “Dielli”

Lexo ngjarje:

Në Boston të Shteteve të Bashkuara doli numri i parë i gazetës “Dielli”, gazetë politike, shoqërore, letrare, kulturore, ekonomike, pedagogjike etj. Një pjesë e shkrimeve botoheshin në anglisht. Në tetor 1909, drejtimin e gazetës “Dielli” e mori Faik Konica, i cili u ftua për këtë qëllim nga shoqëria “Besa-Besën”. Nga nr. 148 (2 maj 1912) u bë organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Gjatë gjithë jetës së saj gazeta “Dielli” ka qenë një nga tribunat më të rëndësishme të çështjes shqiptare. Ajo ka përkrahur lëvizjet për çlirimin dhe pavarësinë e Shqipërisë; ka kundërshtuar politikën shoviniste të shteteve fqinje ndaj Shqipërisë dhe ka propaganduar në vijimësi idenë e bashkimit dhe të organizimit të popullit shqiptar në një shtet me një program të përcaktuar politik, ekonomik, kulturor e arsimor, sipas modeleve të demokracive perëndimore. Në vitet 1920–1924, “Dielli” i dha përkrahje të fuqishme politikës reformiste dhe programeve përparimtare të Fan Nolit. Për këtë arsye, në dhjetor 1922 dhe në maj 1923, u ndalua hyrja e gazetës në Shqipëri. Me triumfin e Revolucionit Demokratik të Qershorit të vitin 1924, ajo mbështeti Fan Nolin dhe qeverinë e tij, por pa ia kursyer edhe kritikat. Nga viti 1925 e deri në vitin 1939, ideologjia e politika e gazetës u bë promonarkiste dhe, për një kohë fare të shkurtër, profashiste. Për shkak të kontradiktave të brendshme në gjirin e “Vatrës”, në vitet 1936–1939 u botuan dy gazeta “Dielli”, një në Boston (Mass.) dhe një tjetër në Detroit (Mich.). Gjatë kësaj periudhe “Dielli” humbi një numër të rëndësishëm të lexuesve. Në vitet e para pas Luftës II Botërore, “Dielli” përshëndeti fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar përkrah Aleancës së madhe Antifashiste, përkrahu kërkesën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në OKB; përkrahu regjimin e ri të vendosur në Shqipëri, por, që nga fundi i viteve ’50, kritikoi ashpër politikën diktatoriale të Enver Hoxhës, reprezaljet, padrejtësitë, mohimin e të drejtave të njeriut etj. Në krye të gazetës “Dielli” kanë qenë publicistë dhe personalitetet politike, si Fan Noli, Faik Konica, K. Floqi, K. Dako, Kostë Çekrezi, Loni P. Kristo, A. S. Frashëri, N. Drizari, Q. Panariti, Xh. Kallajxhi, A. Pipa etj. Që nga vitet ’90, megjithëse nuk ka dalë rregullisht, “Dielli” ka pasqyruar jetën, problemet dhe veprimtaritë ekonomike, politike, kulturore, artistike etj. të emigrantëve shqiptarë në SHBA, si dhe zhvillimet demokratike në atdhe. (Në fotografi: Numri i parë i gazetës “Dielli”.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 477.

Fotografia: © https://www.syri.net/

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img