Në Tiranë u themelua Shkolla Ushtarake Mbretërore (1928–1933), shkollë ushtarake e sistemit të arsimit të mesëm. U përurua me dekretligj, së pari me 170 nxënës të moshës nga 11–17 vjeç. Në përfundim të katër viteve, kontingjentet e kësaj shkolle ndiqnin për 9 muaj Shkollën e Aspirantëve ose Shkollën e Nxënës–Oficerëve dhe kryenin 3 muaj praktikë me trupa. Pas kësaj gradoheshin “aspirantë”. Prej tyre vetëm më të mirët mbaheshin në shërbim ushtarak aktiv, kurse pjesa tjetër nxirrej në rezervë. Shkolla Ushtarake Mbretërore kishte program katërvjeçar të natyrës së përgjithshme, i gërshetuar me lëndë ushtarake. Me dekretligjet e viteve 1929 e 1930, për rregullimin e Ushtrisë Kombëtare, kjo shkollë, ashtu si edhe të tjerat, u përfshi në Forcat Tokësore. Deri në vitin 1930, komandant i Shkollës Ushtarake Mbretërore ishte major Banush Hamdiu. Shkolla ishte vendosur në kazermën “Skënderbeg”. Në vitin 1933, për mungesë fondesh, u mbyll dhe nxënësit e saj u dërguan në gjimnazin e shtetit të Tiranës. (Në fotografi: Shkolla Ushtarake, 1937.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2489.
Fotografia: © https://www.facebook.com/memorie.al/photos/a.448125059912380/917539326304282/
Përpunim grafik: AHCF




