Themelohet Organizata e Kombeve të Bashkuara, organizata politike ndërkombëtare më e madhe dhe më përfaqësuese në kohën e sotme. Organizata e Kombeve të Bashkuara u krijua nga përfaqësuesit e 51 shteteve anëtare të mbledhur në San-Francisko (SHBA). Republika Popullore e Shqipërisë u pranua në Kombet e Bashkuara në vitin 1955, pas një periudhe 10-vjeçare të ekzistencës së kësaj organizate. Kërkesat e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara filluan qysh në vitin 1944, por në kushtet e Luftës së Ftohtë u refuzuan nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe dhe shumicës së anëtarëve të Asamblesë. Sot Organizata e Kombeve të Bashkuara ka 185 shtete anëtare. Detyrat kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë: ruajtja e paqes në të gjithë botën; zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis kombeve: zhvillimi dhe përmirësimi i kushteve të jetesës; lufta kundër urisë, sëmundjeve, analfabetizmit dhe respektimi i lirisë dhe të drejtave të njeriut. Emri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara u sugjerua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Ruzvelt (Roosvelt). Ai u përdor zyrtarisht për herë të parë në vitin 1942, kur përfaqësuesit e 26 vendeve nënshkruan Deklaratën e Kombeve të Bashkuara. Selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara është në Nju-Jork (SHBA), Gjenevë (Zvicër). Veprimtaria e Organizatës së Kombeve të Bashkuara shtrihet pothuajse në të gjithë botën përmes këtyre organeve: Asambleja e Përgjithshme, Këshilli i Sigurimit; Këshilli Ekonomik dhe Social; Këshilli i Kujdestarisë; Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë (Holandë); Sekretariati. Në vitin 1966, në Gjenevë të Zvicrës u krijua Zyra e Kombeve të Bashkuara për Evropën e cila merret me organizimin e konferencave diplomatike dhe veprimtarive të tjera me karakter ekonomik dhe social. Në këtë institucion punojnë mbi 1600 vetë dhe kryhen mbi 8000 takime në vit. Me Organizatën e Kombeve të Bashkuara lidhen edhe 14 organizma të tjerë, të njohur si agjenci të specializuara të saj, të cilat janë: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Ndërkombëtare për Rimëkëmbje dhe Zhvillim, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Organizata e Bujqësisë dhe e Ushqimit, Organizata Ndërkombëtare e Punës etj. Organizata e Kombeve të Bashkuara financohet nga vendet anëtare. Kontribuuesit më të mëdhenj të saj janë: SHBA (25%), Japonia (15,6%), Gjermania (9%), Franca (6,4%), Federata Ruse (4,3%). Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, marrëdhëniet me Organizatën e Kombeve të Bashkuara arritën nivele të larta bashkëpunimi. (Në fotografi: Flamuri i Kombeve të Bashkuara)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1893–1894.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Flag_of_the_United_Nations
Përpunim grafik: AHCF




