Në Këllëz të Lunxhërisë lindi atdhetari dhe luftëtari i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Naqo Lame Qirko. Naqo kreu shkollën fillore në fshatin e lindjes dhe iu vu punës për t’i ardhur në ndihmë familjes. Naqo kundërshtoi regjimin e mbretit Zog, si dhe pushtimin fashist më 7 prill 1939. Ai e përqafoi lëvizjen nacionalçlirimtare që në fillimet e saj. Shtëpia e tij u kthye në një bazë të mbledhjeve të ilegaleve antifashistë të Gjirokastrës. Ishte ndër të parët që filloi aksionet kundër italianëve, si komandant i njësitit të djemve të Këllëzit. Naqua ishte komandant i kompanisë “Mihal Duri” të batalionit partizan “Misto Mame”. Udhëhoqi me zgjuarsi e trimëri në të gjitha aksionet kundër armikut pushtues në Libohovë, Kakavijë, Muzinë dhe Gjirokastër. Në shkurt 1944, për shkak të sëmundjes, u caktua të organizojë njësitet guerile të fshatrave të Lunxhërisë dhe formoi Batalionin Territorial me rreth 400 vetë, për të shkuar në ndihmë të forcave partizane. Pas luftës vazhdoi arsimimin dhe punoi në organet e drejtësisë në Gjirokastër e Sarandë, deri në detyrën e kryetarit të Gjykatës. Naqua është dekoruar me disa medalje lufte e pune nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në ato vite. (Në fotografi: Naqo Lame Qirko)
Teksti: Qirko J., arkivi vetjak
Fotografia: © Qirko J., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




