U nda nga jeta Sotir Papahristo, filolog klasik, veprimtar i arsimit, autor veprash pedagogjike, drejtues institucionesh arsimore, përkthyes, kandidat i shkencave filologjike, Mësues i merituar. Lindi në fshatin Dhëmbell të Devollit (sot në Greqi), në vitin 1887. Pasi kreu gjimnazin e Korçës, vazhdoi studimet e larta për filologji klasike në Universitetin e Athinës. Pas mbarimit të studimeve shërbeu si profesor i gjuhës e letërsisë klasike greke në gjimnazin e Korçës; profesor dhe drejtor administrativ i Liceut Kombëtar të Korçës (1927–1933); drejtor i Institutit Femëror “Nana Mbretneshë” (1933–1939); mësues në shkollën e mesme pedagogjike “17 Nëntori” të Tiranës (1944–1947); përkthyes në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe punonjës shkencor në Institutin e Shkencave dhe në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (1948–1968). Botoi librat studimorë pedagogjikë: “Qeverimi i fëmijëve në shkollë” (Korçë, 1928); “Mësime shembullore” (Korçë, 1930); “Hartime dhe ushtrime në shkollat fillore e të mesme” (Korçë, 1936). Hartoi tekstet shkollore: “Gramatika e greqishtes se vjetër” (I, 1938 – II, 1940) dhe “Sintaksa e greqishtes së vjetër” (1942). Përktheu e përshtati në gjuhën shqipe disa vepra edukative e pedagogjike, si dhe një varg veprash letrare të autorëve klasikë greke, si Eskilin, Sofokliun, Aristofanin, Aristotelin, Plutarkun etj. (Në fotografi: Sotir Papahristo)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1929.
Fotografia: © https://www.standard.al/2020/02/26/sotir-papahristo-helenisti-me-autobiogafi-te-panjohur/
Përpunim grafik: AHCF




