U nda nga jeta Gjergj Xhuvani, regjisor, skenarist, producent. Lindi në Tiranë, në vitin 1963. Më 1986 kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve për aktor dhe po atë vit emërohet në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Ka punuar si asistentregjisor në disa filma. Është autor ose bashkautor në të gjithë skenarët e filmave të tij, përgjithësisht të shkruar me shkrimtarin dhe skenaristin e njohur Dhimitër Xhuvani. Bardhë e zi është filmi i tij i parë me metrazh të shkurtër, i realizuar më 1991. Edhe në vitet e mëvonshme ka kultivuar me dashuri filma të metrazhit të shkurtër e të mesëm duke arritur të zbërthejë nëpërmjet tyre drama njerëzore me një densitet emocional. Fenomenit të tjetërsimit të njeriut të sapoprekur në bardhë e zi, i rikthehet pas dhjetë vjetësh në “Parullat” (2001), film që arriti të hyjë e të fitojë çmim në seksionin e veprave të para të Festivalit të Kanës, duke u shfaqur paskëtaj edhe në disa kinema evropiane. Në këtë film dalin më në pah edhe vlerat thelbësore të krijimtarisë së Xhuvanit: zbërthimi regjisorial i thjeshtë dhe i saktë, ndërtimi thellësisht realist i imazhit të një jete dhe mikrobote në sinkron me të gjitha elementet kinematografike. Filmi “Parullat”, përveç Kanës është nderuar me Çmimin e Madh (Gran Prix) në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave në Tokio. Filmi “E diela e fundit” (1992), ka marrë çmimin e veçantë të jurisë për filmat me metrazh të shkurtër në Festivalin Mesdhetar të Filmave “Bastille 93”, Francë, ndërsa filmi “Dashuria e fundit” (1994) ka marrë çmimin për regjinë më të mirë në Festivalin X të Filmit Shqiptar. (Në fotografi: Gjergj Xhuvani)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://nationalfilmcenter.gov.al/index.php/2019/08/14/gjergj-xhuvani-ndahet-papritur-nga-jeta/
Përpunim grafik: AHCF




