Në Tiranë lindi Elisabeta Karabolli (Nishica), qitëse, “Mjeshtre e merituar e sportit”. Në vendlindje kreu studimet e larta për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Ka ushtruar sportin e qitjes në garën 30+30 pistoletë në klubin sportiv “Partizani” (1972–1984) nën drejtimin e trajnerit Rexhë Ndreu, dhe në klubin sportiv “Studenti” (1992–2000). Ka qenë anëtare e ekipit kombëtar të femrave (1976–1984) dhe trajnere e këtij ekipi (1985–1991). Ka thyer 5 herë rekordin kombëtar dhe ka dalë shumë herë kampione e vendit, është fituese e dy spartakiadave kombëtare (1979, 1984). Ka fituar disa medalje ari dhe argjendi individuale dhe ekipore në Kampionatet Ballkanike të viteve 1982, 1984, 1992, 1996. Ka marrë pjesë në tri kampionate evropiane, duke fituar medalje bronzi (1977, Romë); medalje argjendi (1978, Finlandë) dhe titullin kampione e Europës (1979, Gjermani, 587 pikë). (Në fotografi: Elisabeta Karabolli)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1118.
Fotografia: © https://www.tifozet.al/2023/02/12/elisabeta-karabolli-pistoleta-kuqezi-qe-mposhti-qiteset-ruse/
Përpunim grafik: AHCF




