Pranimi i Shqipërisë në OKB.

Lexo ngjarje:

Republika Popullore e Shqipërisë u pranua në Kombet e Bashkuara pas një periudhe 10-vjeçare të ekzistencës së kësaj organizate. Kërkesat e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara filluan qysh në vitin 1944, por në kushtet e Luftës së Ftohtë u refuzuan nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe dhe shumicës së anëtarëve të Asamblesë. Detyrat kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë: ruajtja e paqes në të gjithë botën; zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis kombeve: zhvillimi dhe përmirësimi i kushteve të jetesës; lufta kundër urisë, sëmundjeve, analfabetizmit dhe respektimi i lirisë dhe të drejtave të njeriut. Me Organizatën e Kombeve të Bashkuara lidhen edhe 14 organizma të tjerë, të njohur si agjenci të specializuara të saj, të cilat janë: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Ndërkombëtare për Rimëkëmbje dhe Zhvillim, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Organizata e Bujqësisë dhe e Ushqimit, Organizata Ndërkombëtare e Punës etj. Shqipëria ka bashkëpunuar me ndonjë organizatë të specializuar të Kombeve të Bashkuara, përpara se të anëtarësohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. I tillë ishte bashkëpunimi me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në të cilën Shqipëria ishte anëtare themeluese (22 korrik 1946). Gjithashtu qeveria shqiptare pranoi që disa komisione të Kombeve të Bashkuara të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri. Bashkëpunimi me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe agjencitë e saj të specializuara ishte i vështirë. Më 25 shkurt 1950 qeveria shqiptare u largua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke u solidarizuar me qëndrimin e Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera socialiste të Evropës. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Ministrave i Republikës Popullore të Shqipërisë miratoi më 28 janar 1956 organikën e delegacionit të përhershëm të Shqipërisë pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kryesuar nga një ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë. Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, marrëdhëniet me Organizatën e Kombeve të Bashkuara arritën nivele të larta bashkëpunimi. Shqipëria u anëtarësua në disa organizata të rëndësishme të specializuara të saj, si: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore etj. Një numër i madh organizatash, fondesh dhe programesh të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kryejnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri. (Në fotografi: Vendimi i Këshillit të Ministrave për aprovimin e organikës së delegacionit pranë OKB-së, 1956.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1893–1894.

Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img