Kjo datë shënon çlirimin e plotë të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist. Sapo u çlirua Tirana (17 nëntor 1944), Komanda e Përgjithshme u dha urdhër njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që të vazhdonin veprimet luftarake në zonat veriore të vendit, për të përfunduar çlirimin e plotë të Shqipërisë. Më 17 nëntor forcat partizane goditën kolonën e ushtarëve armiq që drejtohej për në Kukës dhe më 18 nëntor çliruan përfundimisht qytetin e Kukësit. Pas dy ditësh, më 20 nëntor, Brigada XXII çliroi Pukën. Tani e gjithë Shqipëria, me përjashtim të Shkodrës, ndodhej e çliruar. Për çlirimin e Shkodrës, qyteti i fundit që ndodhej nën kontrollin e forcave hitleriane, u ngarkuan Brigadat VI, VII, XXII, XXIII dhe grupi partizan i Shkodrës. Luftime me forcat armike u zhvilluan përreth Shkodrës, në Postribe, në kodrat e Drishtit dhe në të majtë të lumit Kir. Kundërsulmet që ndërmorën trupat gjermane më 28 nëntor, u thyen me humbje të rënda. Pas mesit të natës, forcat armike e lëshuan qytetin. Në mëngjesin e datës 29 nëntor, në Shkodrën e lirë hynë luftëtarët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Me çlirimin e Shkodrës përfundoi çlirimi i plotë i vendit. Me çlirimin e Shqipërisë dhe me vendosjen e pushtetit të Frontit Nacionalçlirimtar në të gjithë territorin e saj, përfundoi Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, pavarësisht se njësi partizane të Divizionit V dhe të Divizionit VI do të vijonin edhe për disa muaj veprimet luftarake në territorin e Kosovës e të Jugosllavisë. Kështu, para se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore, Fronti Nacionalçlirimtar që dominohej nga Partia Komuniste e Shqipërisë ose nga Partia e Punës e Shqipërisë, siç do të quhej pas vitit 1948, mori në dorë pushtetin, të cilin nuk e ndau me asnjë forcë tjetër politike, sikurse ndodhi në vendet e tjera të Lindjes. Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se: këtë fitore Fronti dhe Partia Komuniste Shqiptare e arritën në saje të angazhimit të plotë të forcave në luftë për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj, të premtimit të vazhdueshëm se pas luftës në Shqipëri do të vendosej një regjim demokratik, të qëndrimit e të rreshtimit të gabuar të forcave kryesore nacionaliste, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit e më në fund të mbështetjes që ato patën nga Fuqitë Aleate të Koalicionit Antifashist, në mënyrë të veçantë nga Britania e Madhe, e cila ndihmoi lëvizjen partizane me armatime e me materiale të tjera të nevojshme për të fituar luftën. (Në fotografi: Qytetarë shkodranë në festimet e çlirimit të qytetit, 1944.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2009, faqe 102 –103.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




