Në Frasnitë (it. Frascineto), krahina e Kozecës (Kalabri) lindi Françesko (Francesco) Solano, gjuhëtar arbëresh, shkrimtar. Njihet në letërsi me emrin Dushko Vetmo. Studio për teologji në Itali dhe në Argjentinë. Jetoi afro njëzet vjet në Amerikën Latine (Argjentinë, Uruguai, Kili), për t’u kthyer sërish në Itali, duke punuar si prift në vendlindje. Ishte ndër themeluesit e katedrës së shqipes në Universitetin e Kozoncës, të cilën e drejtoi për disa vjet rresht. Publikoi gramatikën “Doracak i gjuhë shqipe” (Manuale di lingua albanese) më 1972 dhe shumë artikuj studimorë për të folmet arbëreshe. Themeloi edhe revistën “Zjarri” më 1973. Botoi vepra letrare: prozë, poezi e dramë. Që më 1947 botoi vëllimin e parë me poezi “Bubuqe t’egra”, më pas tri drama, më vonë përmbledhjen “Tregimet e lëmit” etj. Ishte pjesëmarrës në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, duke sjellë me vete edhe studentët e tij nga Universiteti i Kozencës. U nda nga jeta në vitin 1999. (Në fotografi: Françesko Solano)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1517.
Fotografia: © https://gazetavatra.com/arbereshi-francesko-solano/
Përpunim grafik: AHCF




