Në Trieste (Itali) doli numri i parë i gazetës “Dashamiri” (1907–1908), gazetë e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturore, ekonomike e letrare. Dolën 8 numra, por nga 6 maji deri më 6 gusht 1908 doli me titullin “Dashamiri i ri” (6 numra). Të dyja gazetat i drejtoi Mati Logoreci. Gazeta “Dashamiri” pasqyroi ngjarjet e ditës në Shqipëri, Austri, Itali e vendet e tjera evropiane e ballkanike; mbështeti idenë e autonomisë së Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane; iu kundërvu synimeve shoviniste të mbretërive fqinje ballkanike; shtroi çështjet e zhvillimit kulturor, ekonomik e politik të vendit dhe të përhapjes së gjuhës e të shkollave shqipe në të gjitha trevat shqiptare. (Në fotografi: Faqe e gazetës “Dashamiri”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 420–421.
Fotografia: © https://diasporashqiptare.al/2022/11/05/gazeta-dasamiri-nje-studim-me-vlere-per-historine-e-alfabetimit-te-shqipes/
Përpunim grafik: AHCF




