Në Arbanas afër qytetit të Zarës të Kroacisë lindi Kruno Krstiq, gjuhëtar, filozof dhe psikolog. Në vitet 1726 dhe 1733 paraardhësit e tij u vendosën në Arbanas. Më 1926 u diplomua në shkollën e mesme klasike italiane “Gabriele D’Annunzio”, në Zadar. Nga viti 1926 studioi filozofi dhe psikologji si dhe gjuhë italiane dhe letërsi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku edhe u diplomua në vitin 1930. Më pas, në të njëjtin fakultet, në vitin 1934 mori diplomë për gjuhë frënge e latine dhe letërsi. Mbrojti gradën shkencore “doktor i shkencave” në vitin 1937 me disertacionin “Psikologjia dhe përmbajtja e saj: polimorfizmi perspektiv i lëndës së psikologjisë”. Kruno Krstiq është autor i teksteve të rëndësishme, si: “Legjislacioni gjuhësor kroat”, “Hapësira kuptimore e fjalëve”, “Çështja e serbëve”, “Rruga historike e gjuhës letrare kroate” etj., shumica e të cilave u botuan në shtyp në vitet 1941–1942. Është autor i një prej veprave më të rëndësishme që dokumentojnë trashëgiminë gjuhësore e kulturore të arbëreshëve të Zarës: “Fjalori i të folmes së sotme të arbëreshëve të Zarës”. U nda nga jeta në Zagreb, në vitin 1987. Pas vdekjes u nderua duke iu dhënë një shkolle fillore në Zadar emri “Kruna Krstiq”. Në Arbanasi të Zarës është vendosur busti i Kruno Krstiq (Krstić), në kuadër të ditëve të kulturës arbneshe “Zonja jonë e Loretos”, që u mbajtën në muajin maj 2023 me rastin e 297-vjetorit të vendosjes së arbneshëve në Zarë. (Në fotografi: Kruno Krstiq)
Teksti: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Tiranë.
Fotografia: © https://www.enciklopedija.hr/natuknica.aspx?id=34209
Përpunim grafik: AHCF




