Rexhep Qosja

Lexo ngjarje:

Në Vuthaj të Malit të Zi lindi Rexhep Qosja, shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti, akademik. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Vuthaj dhe në Guci. Në Prishtinë kreu Shkollën Normale, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më 1967, filloi punë si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa më 1968–1969 kreu studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Në periudhën 1972–1981 ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik, pastaj shef disavjeçar i degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetit Filozofik, si dhe kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”. Veprat e para i botoi nga fusha e kritikës dhe e studimeve letrare, për të vazhduar pastaj me studime për historinë e letërsisë shqipe, prozë, drama, publicistikë etj. Vepra e tij shkencore përbëhet nga studime monografike, si: “Asdreni – jeta dhe vepra e tij” (1972), “Porosia e madhe” (1986), studim monografik për Naim Frashërin, si dhe studime të shumta monografike për disa autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Fushë e interesimit të tij janë periudha e Rilindjes Kombëtare, vlerësimi i veprave të autorëve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, problemet e periodizimit të letërsisë etj. Në fushën e prozës njihet me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), në të cilin trajton fatin e popullit dhe të intelektualit shqiptar në Kosovë, në rrethanat shoqërore dhe politike të Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë. Në fushën e dramaturgjisë botoi librin me drama “Mite të zhveshura” (1978). Kontributin e tij në fushën e publicistikës e ka dhënë me veprat që i kushtohen çështjes shqiptare në përgjithësi dhe çështjes së Kosovës, në veçanti, siç janë: “Populli i ndaluar” (1990), “Strategjia e bashkimit kombëtar” (1992), “Çështja shqiptare – historia dhe politika” (1994), “Paqja e përgjakshme” (1999) etj. Viteve të fundit ka filluar botimin e ditarëve të tij me titullin “Dëshmitar në kohë historike”, duke filluar nga viti 1966 e këndej. Në vitin 2010 nga Instituti Albanologjik i Prishtinës u botua seria e veprave të tij në 29 vëllime. Veprat e Rexhep Qosjes janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës. Është marrë edhe me veprimtari politike. Në periudhën 1998–2000 drejtoi një subjekt politik dhe për një kohë bënte pjesë në Këshillin Transitor të Kosovës gjatë viteve të para të qeverisjes së UNMIK-ut (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë), në Kosovë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga themelimi i saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Për krijimtarinë e tij është nderuar me çmime, dekorata dhe mirënjohje. (Në fotografi: Rexhep Qosja)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1369–1370.

Fotografia: © https://ashak.org/anetaret/rexhep-qosja/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img