Dhimitër S. Shuteriqi

Lexo ngjarje:

U nda nga jeta Dhimitër S. Shuteriqi, shkrimtar dhe historian i letërsisë, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Elbasan në familjen e Simon Shuteriqit, në vitin 1915. Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës (1936) dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua për filozofi në Universitetin e Grenoblës (1942). U kthye në atdhe po atë vit dhe mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit pati detyra me përgjegjësi në institucione arsimore, kulturore dhe letrare të vendit. Është ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (tetor 1945), kryetar i saj në vitet 1954–1973, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik në vitet 1947–1950, deputet i Kuvendit Popullor në vitet 1950–1974. Dhimitër Shuteriqi e nisi veprimtarinë letrare në mes të viteve ’30 të shekullit XX me vjersha, tregime dhe artikuj kritikë. Në fillim të viteve ’50 iu kushtua romanit. Botoi dy vëllimet e para të romanit “Çlirimtarët” (1952, 1955), po vepra mbeti e papërfunduar. Më pas, fushë kryesore e krijimtarisë së tij u bë tregimi. Botoi përmbledhjet “Fyelli i Marsiasit” (1963), “Kënga dhe pushka” (1972), “Maratonomaku ynë” (1977), “60 tregime në një” (1979), “Buka e thika” (2002) etj. Vëmendjen e autorit e kanë tërhequr ngjarje kulmore të së kaluarës historike, figura të historisë e të kulturës kombëtare, jeta e vështirë e njerëzve të thjeshtë dhe sakrifica e tyre në luftë, ngjarje dramatike e poetike të kohës etj. Në to janë përjetësuar Gjorg Golemi legjendar, Marin Barleti, Pjetër Budi, Dhaskal Todri, Ismail Qemali, Dora d’Istria, Andon Z. Çajupi e të tjerë. Fusha kryesore e punës së Dhimitër Shuteriqit si shkencëtar ka qenë historia e letërsisë, tradita e hershme e shkrimit të shqipes, folklori dhe disa figura historike. Kërkimi në këto fusha është kurorëzuar me botimin e një korpusi veprash e studimesh, si “Shkrimet shqipe” (1965, 1976) dhe “Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në v. 879–1800” (2005), të cilat hedhin dritë jo vetëm mbi fillimet e shkrimit shqip, por dhe mbi rrënjët e traditave letrare kulturore, mbi procese e figura të shquara të letërsisë së humanizmit, të Mesjetës dhe të Rilindjes Shqiptare, duke vënë në qarkullim tekste të panjohura dhe ide të reja shkencore. Dhimitër Shuteriqi është bashkautor dhe redaktor i veprës përgjithësuese “Historia e letërsisë shqipe” I, II (1959, 1960), botim i Universitetit të Tiranës, kryeredaktor i veprës “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), botim i Akademisë së Shkencave; autor i monografisë “Naim Frashëri – jeta dhe vepra” (1982); si dhe i shumë artikujve e studimeve të shpërndara në shtypin shkencor e periodik. Ai është një ndër themeluesit e shkollës historiografike letrare në Shqipëri. Dhimitër Shuteriqi është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”; ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë. (Në fotografi: Dhimitër Shuteriqi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2647–2648.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Dhimit%C3%ABr_Shuteriqi

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img