Gjergj Kastrioti Skënderbeu kthehet nga Italia në Shqipëri, pas ekspeditës ushtarake në ndihmë të mbretit Ferdinand I të Napolit. Në gusht të vitit 1461, në krye të 2–3 mijë luftëtarëve, Skënderbeu u nis vetë për në Itali dhe zbarkoi në Barletë, ku gjendej i rrethuar mbreti Ferdinand. Skënderbeu organizoi sulme të njëpasnjëshme, për të shtënë në dorë qendrat e fortifikuara që mbaheshin nga princi i Tarantit dhe kundërshtarë të mbretit Ferdinand. Ndihma e vyer e luftëtarëve shqiptarë ndikoi në gjallërimin e marrëdhënieve të Skënderbeut me Mbretërinë e Napolit dhe aleatëve të saj. (Në fotografi: Harta e ekspeditave ushtarake të Skënderbeut në Itali.)
Teksti: Historia e Popullit Shqiptar – Vëll. I, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 443.
Fotografia: © https://no.wikipedia.org/wiki/Skanderbegs_italienske_ekspedisjon
Përpunim grafik: AHCF




