Në moshë të re e në mjerim të thellë u nda nga jeta Shote Galica, luftëtare e çetave kaçake, e shoqja e Azem Galicës. Njihet edhe si Qerime Radisheva. Lindi në Radishevë të Drenicës, më 1895. Shota u martua me udhëheqësin e çetave kaçake, Azem Galicën, në vitin 1915. Luftoi 12 vjet krah për krah me të shoqin për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë. Mori pjesë në më shumë se 40 aksione luftarake. Më 1919 mori pjesë në kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa në vitet 1922–1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritësit e Kosovës dhe të Malësisë. Në korrik të vitit 1924, mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës. Po atë vit, pas vrasjes së të shoqit, Azem Galicës, u vu në krye të çetës dhe vazhdoi luftimet kundër forcave serbe. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës, në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive serbe e bjellogardiste. Në fund të dimrit të vitit 1926 u largua nga Kosova për në Shqipëri, ku u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Pas Luftës së Dytë Botërore shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit. (Në fotografi: Shote Galica)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 474.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Shote_Galica
Përpunim grafik: AHCF




