Hasan Tahsini

Lexo ngjarje:

U nda nga jeta, në Stamboll, Hasan Tahsini, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, filozof dhe dijetar në fusha të ndryshme të shkencës, si astronomi, matematikë, psikologji etj. Lindi në fshatin Ninat të Çamërisë (Sarandë), më 1811. Në vendlindje mori mësimet e para. Vijoi shkollimin në një nga medresetë më të njohura të Stambollit. Për gjerësinë e diturive që zotëronte, si dhe për aftësitë e tij intelektuale u caktua rektor i parë i Universitetit të porsahapur të Stambollit (1870). Bëri kërkime në fusha të ndryshme të shkencave natyrore, që i paraqiti në mjaft artikuj dhe libra shkencorë në gjuhën turke, ndër të cilat përmenden “Psikologjia” dhe “Bazat e astronomisë”. Njohuritë dhe të dhënat që përmbanin këta libra, ishin nga më të përparuarat për kohën dhe i dhanë autorit të tyre emrin e një dijetari të shquar në Perandorinë Osmane. Veprimtaria e Hasan Tahsinit për përhapjen e diturive shkencore, që ishin në kundërshtim me qëndrimin e autoriteteve shtetërore e fetare të kohës, ra në sy; ai u shkarkua nga detyra e rektorit dhe u përzu nga Universiteti. Hasan Tahsini qe një ndër veprimtarët më aktivë të Rilindjes Kombëtare. Ai e kuptoi se një nga fushat më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Shqipërisë dhe lartësimin e popullit shqiptar ishte shkrimi i gjuhës shqipe dhe përhapja e diturisë në këtë gjuhë. Për këtë qëllim, qysh në vitet ’60, në bashkëpunim dhe me atdhetarë të tjerë, si Kostandin Kristoforidhi, filloi të mendojë e të veprojë për krijimin e shoqërive që do të punonin për përhapjen e diturisë midis shqiptarëve, dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe. Është i njohur projekti i tij i alfabetit të gjuhës shqipe me 30 bashkëtingëllore dhe zanore, i hartuar në fillim të viteve ’70. Hasan Tahsini u përndoq e u burgos për veprimtarinë e tij atdhetare nga fanatikët dhe njerëzit me mendime prapanike, por ai nuk hoqi dorë nga bindjet shkencore dhe nga rruga e tij për zhvillimin e kulturës dhe për afirmimin e kërkesave kombëtare të shqiptarëve. (Në fotografi: Hasan Tahsini)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2653.

Fotografia: © https://www.zaninalte.al/

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img