Rajmonda Bulku

Lexo ngjarje:

Në Tiranë lindi Rajmonda Bulku, aktore. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve më 1985 dhe fill më pas u emërua aktore në Teatrin Kombëtar. Ka luajtur në skenë disa role, madje edhe kryesore, por emrin e fitoi falë aftësive që ka pasur për interpretimin në kinematografi. Qysh në vitet shkollore luajti rolin e një vajze fshatare në filmin e saj të parë, “Dimri i fundit” (1976), ku iu dha medalje në Festivalin II të Filmit Shqiptar. Bukuria dhe hijeshia fizike, sinqeriteti dhe vërtetësia, bashkë me një ndjesi të fortë dramatike, bëri që Rajmonda Bulku të ishte një nga aktoret më të pëlqyera në ekran, me 20 role, të shumtat kryesore. Me pak fjalë, por me një sy shprehës dhe qetësi të brendshme luajti rolin e nuses te “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978). Jona në filmin “Duaje emrin tënd” (1984), me të cilën fitoi Kupën e Festivalit të pestë, ishte e një rritje e ndjeshme e saj, me një prerjeje të qartë psikologjike, ku përvuajtja ndaj një dashurie të pamerituar u përjetua thellë dhe me sinqeritet të dhimbshëm prej saj. Ndryshe nga ky rol, te Magda në filmin “Vitet e pritjes” (1990), me të cilin u nderua me çmimin e parë në Festivalin IX, shpalosi anët e thukta dramatike, falë një loje të fortë e me vrullime të brendshme shpirtërore. Në rrafshe alternuese midis dhimbjes, ankthit të fshehur dhe ndjesisë së fajit dhe viktimizimit e interpretoi ajo rolin e vështirë të Dianës, në filmin “Të paftuarit” (1985), me të cilën fitoi Medaljonin e Festivalit VII. Në teatër Rajmonda Bulku ka luajtur role të ndryshme, por pa arritur lartësitë e figurave që realizoi në ekran, për shkak të të dhënave natyrore që ajo ofron ndaj këtij arti, si: zërin e ngrohtë, portretin e bukur, sytë meditativë e melankolikë, aftësinë për të qenë sa më e drejtpërdrejtë para kamerës etj. Me figurën te komedia “Burri i gruas sime” ajo e thyen formatin e saj të sprovuar për role të natyrës dramatike psikologjike, me mbivendosje melodramatike e melankolie, duke hyrë në një hapësirë të re interpretuese, atë të komedisë. (Në fotografi: Rajmonda Bulku)

Teksti: Josif Papagjoni

Fotografia: © https://www.facebook.com/bulkurajmonda/

Përpunim grafik: AHF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img