Kolë Idromeno

Lexo ngjarje:

Në Shkodër lindi Kolë Idromeno (Nikollë), piktor, fotograf dhe arkitekt, Piktor i Popullit. Lindi në familjen e inxhinierit Arsen Idromeno nga Arta e Çamërisë, i cili qe vendosur në Shkodër, pasi ndiqej nga autoritetet osmane. Që në moshë të vogël shfaqi prirje të dukshme për artet, të cilat i lëvroi me nxitjen e fotografit Pietro Marubi. Më 1876 shkoi në Venedik, ku ndoqi për disa muaj Akademinë e Arteve e pastaj punoi pranë një piktori vendës, mik i familjes së tij. Ushtroi shumë mjeshtëri: përveç pikturës, edhe skulpturën, dekoracionin teatral, inxhinierinë, zdrukthëtarinë e mobilies etj. Ishte një nga nismëtarët e së parës ekspozitë kolektive arti në Shkodër (1923) dhe pjesëmarrës në të parën ekspozitë kombëtare të quajtur “Art i thjeshtë”, e hapur në Tiranë më 1931. Kolë Idromeno kishte një studio fotografike në Shkodër dhe ishte organizator i parë i shfaqjeve kinematografike në Shqipëri (1912). U bë i njohur edhe jashtë vendit me vepra të paraqitura në ekspozita ndërkombëtare, si në Budapest (1900) dhe Nju-Jork (1939). Kolë Idromeno krijoi në pikturë kompozime interesante, përshkruese, me njëfarë naiviteti mbi jetën karakteristike të vendit (“Dasma shkodrane” 1920) dhe me subjekte fetare, por që paraqitnin me përpikëri dhe gjallëri skena nga jeta e përditshme e popullit (“Dy rrugë”, 1886). U shqua sidomos në pikturën e portretit (“Portret fshatari”, 1924; “Mbesa”, 1932). Kryevepra e tij dhe një nga veprat më të shquara të pikturës shqiptare është “Motra Tone” (1883), një portret i thelluar dhe delikat, ku shfaqet edhe drama shoqërore e gruas shkodrane. Kolë Idromeno është i pari në artin shqiptar që krijoi në gjininë e peizazhit, të cilin e trajtoi me ngjyra intensive duke i hapur rrugën pikturës realiste laike. Kolë Idromeno punoi për rregullimin urbanistik të Shkodrës në fillim të shekullit XX dhe projektoi një radhë godinash publike, shoqërore e private në stilin e arkitekturës së asaj periudhe, shumica e të cilave formuan fytyrën e rrugës kryesore të qytetit. Fotografitë e tij, si dokumente të kohës, janë realizuar me shije estetike. Tablo të tij ruhen në Galeritë e Arteve në Tiranë e Shkodër; fotografi e vizatime të tij ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror. U nda nga jeta në vitin 1939. (Në fotografi: Kolë Idromeno)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 971–972.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Kol%C3%AB_Idromeno

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img