Brigada I Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare

Lexo ngjarje:

Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm u përurua “Brigada I Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare”, formacioni i parë i kësaj madhësie i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Përurimi u bë në fushën e Makrëzës, pranë Vithkuqit (Korçë), me luftëtarë të zgjedhur nga gjithë formacionet partizane ekzistuese, me një efektiv prej 556 vetash. Në fillim u organizua në 4 batalione. Brigada u drejtua nga një shtab me komandant Mehmet Shehun dhe komisar Tuk Jakovën. Efektivi i brigadës u shtua deri në 1860 veta. Rruga luftarake e Brigadës I nisi me luftën e Vithkuqit (1943). Ndër luftimet e tjera të rëndësishme të saj janë: goditja në Xhyrë të Librazhdit (shtator 1943); veprimet gjatë Mësymjes së Përgjithshme armike të Dimrit (1943–1944); luftimet në Mallakastër (nëntor 1943) dhe në krahinën e Mesaplikut (dhjetor 1943). Në shkurt–mars 1944, 3 batalione të Brigadës I Sulmuese kryen një inkursion nga Mokra, në eri të lumit Shkumbin, për të spastruar nga pushtuesit nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre zonën Letëm-Kostenjë-Martanesh-Orenjë-Shmil dhe për t’u takuar me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, që ishte në këtë zonë. Gjatë kundërmësymjes së Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare në janar–mars 1944, Brigada I Sulmuese luftoi në Mokër dhe bashkëpunoi me Brigadën IV Sulmuese për çlirimin e Pogradecit. Gjatë Mësymjes së Përgjithshme armike të Qershorit 1944, Brigada I Sulmuese zhvilloi luftime të ashpra në Vërçë, Sulovë, Shpat, te Ura e Moglicës, Qafa e Gjarprit, Qafa e Dardhës, Guri i Prerë dhe në Shëmbërdhenj. Brigada I Sulmuese u rreshtua në përbërje të Divizionit I Sulmues dhe me kalimin e tij në veri të lumit Shkumbin, brigada kreu luftime kundër forcave naziste e bashkëpunëtorëve të tyre në Çerenec, Gollobordë, Peshkopi dhe Dibër, si dhe për çlirimin e dytë dhe mbrojtjen e krahinës së Matit. Në shtator 1944 luftoi për çlirimin e Krujës dhe në tetor–nëntor 1944 mori pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës. Në nëntor 1944 Brigada I Sulmuese u rreshtua në përbërje të Divizionit II Sulmues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe mori pjesë në veprimet luftarake për vendosjen e pushtetit të ri në Malësinë e Veriut (dhjetor 1944 – shkurt 1945). Brigada I Sulmuese zhvilloi mbi 200 luftime dhe i shkaktoi armikut shumë të vrarë, të plagosur e robër. Nga radhët e saj dhanë jetën 370 dëshmorë. Botonte gazetën “Në sulm përpara!” dhe disa gazeta xhepi të batalioneve të saj. Brigada I Sulmuese është dekoruar me titullin “Hero i Popullit”. (Në fotografi: Rreshtimi i Brigadës I Sulmuese në ditën e inaugurimit.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 296.

Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror

Përpunim grafik: AHF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img