Zef Skiroi

Lexo ngjarje:

Në Horën e Arbëreshëve (Sicili) lindi Zef Skiroi (Giuseppe Schiró), poet, publicist, folklorist dhe historian arbëresh. Ndoqi Seminarin arbëresh të Palermos. Kreu studimet e larta për drejtësi, më 1890, dhe po atë vit filloi punën si docent i letërsisë antike në liceun “Garibaldi” të Palermos. Më 1900, Zef Skiroi mori vendin e titullarit në katedrën e gjuhës shqipe në Institutin Mbretëror Oriental të Napolit. Shumë aktiv në politikën që po përvijonte të ardhmen e Shqipërisë, Zef Skiroi qëndroi për një kohë në Shqipëri në vitet e turbullta 1913–1914, si i dërguar i qeverisë italiane. Në poezi Zef Skiroi u bë i njohur me vëllimin “Rapsodie Albanesi”, 1887 (“Rapsodi shqiptare”), të cilin, pas gjurmëve të disa poetëve romantikë, e botoi si përmbledhje këngësh popullore. Natyra romantike e poezisë së Zef Skiroit shfaqet shpesh edhe me angazhimin e drejtpërdrejtë politik, që karakterizonte përgjithësisht letërsinë e Rilindjes Kombëtare. I dhënë pas botës e çështjes shqiptare, ai krijoi edhe vizione që nuk u përligjën prej zhvillimeve politike të kohës. Zef Skiroi lëvroi edhe lloje të lirikës, këngën, himnin, elegjinë etj.; hartoi tekste, që, në ligjërimin e tyre poetik, u ngjanin këngëve popullore. I ndërgjegjshëm për rëndësinë vetëm kulturore të përpunimit të shqipes letrare, ai shkroi një arbërishte që afrohej mjaft me toskërishten e Shqipërisë, duke marrë edhe prej dialektit verior. Si një studiues me interes të gjerë, Zef Skiroi botoi disa studime edhe për gjuhën e letërsinë shqipe: “Della lingua e della letteratura albanese anche in rapporto alle colonie albanesi d’Italia” 1919 (“Për gjuhën dhe letërsinë shqipe të vështruara edhe në marrëdhënie me ngulimet shqiptare të Italisë”), por punimin më të gjerë ia kushtoi historisë së Shqipërisë “Gli Albanesi e la questione balcanica”, 1904 (“Shqiptarët dhe çështja ballkanike”). U nda nga jeta në vitin 1927. (Në fotografi: Zef Skiroi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2358.

Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img