Në Vinçan (Korçë) lindi Nexhip Vinçani, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjeneralmajor. Filloi shkollën e mesme në Liceun Kombëtar (francez) të Korçës, e vijoi në Shkollën Ushtarake në Tiranë dhe në gjimnazin e Shkodrës. Në vitin 1939 filloi studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Romës, por i ndërpreu më 1941 dhe u kthye në atdhe, ku u lidh me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. U pranua në Partinë Komuniste Shqiptare qysh me formimin e qarkorit të Korçës (dhjetor 1941). U bë organizatori kryesor i njësiteve guerile dhe i çetave partizane të qarkut të Korçës dhe të Beratit, qysh në fillim të vitit 1942. Qe delegat i Korçës në Konferencën e Pezës (shtator 1942). Mori pjesë në luftimet për çlirimin e Voskopojës (15 janar 1943), të Leskovikut (16–25 maj 1943) etj. Gjatë luftës për çlirimin e Tiranës ishte zv.komandant i shtabit operativ. Pas kësaj u emërua komandant divizioni në Peshkopi dhe më pas në Shkodër. Në vitet 1946–1948 kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake “Frunze”, në Moskë. Pas kthimit u emërua komandant i Divizionit të Korçës (1948), drejtor i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë (1949), shef i Degës Ushtarake në Elbasan (1951), komandant Divizioni në Tiranë e në Gjirokastër (1952–1953), komandant i Mbrojtjes Bregdetare (1953–1956). Pas Konferencës së organizatës së Partisë të Tiranës më 1956, për qëndrim kritik ndaj udhëheqjes së Partisë së Punës së Shqipërisë, u shkarkua nga detyra, iu hoq grada dhe titulli oficer, u përjashtua nga partia dhe u dërgua në ndërmarrjen e bonifikimit, në Lushnjë dhe në Fier. Në vitin 1982, u arrestua për “agjitacion e propagandë armiqësore” dhe u internua. U lirua më 1990. U nda nga jeta në vitin 1997. Është dekoruar me urdhra e medalje të luftës e të shërbimit ushtarak, ndër të cilat edhe të huaja. (Në fotografi: Nexhip Vinçani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2887–2888.
Fotografia: © https://telegraf.al/speciale/nexhip-vincani-pro-apo-kundra-dhe-libri-krimet-e-komunizmit/
Përpunim grafik: AHCF




