Fillimi i Luftës së Parë Botërore

Lexo ngjarje:

Shpërtheu Lufta e Parë Botërore (1914–1918), luftë me përmasa të mëdha ndërmjet dy grupeve ndërluftuese të Marrëveshjes Tripalëshe të Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, nga njëra anë, dhe Fuqive të Antantës – Anglisë, Francës dhe Rusisë – nga ana tjetër. Në luftë, përkrah Fuqive të Antantës morën pjesë edhe Italia, ish-anëtare e tretë e Aleancës Tripalëshe, Japonia e SHBA-ja, ndërsa në anën e Aleancës Gjermani Austro-Hungari u radhitën Perandoria Osmane dhe Bullgaria. Me forcat e Antantës u bashkuan menjëherë monarkitë ballkanike, Serbia e Mali i Zi. Kurse në vitin 1917, me to u rreshtua edhe Greqia. Lufta përfundoi me fitoren e Fuqive të Antantës dhe të SHBA-së, e cilësuar si “fuqi shoqe”. Gjatë luftës u mobilizuan 74 milionë ushtarë, u vranë 10 milionë njerëz dhe u plagosën 20 milionë të tjerë. Në Luftën e Parë Botërore shteti shqiptar mbajti asnjanësinë. Megjithatë, shpërthimi e zhvillimi i saj patën pasoja të rënda politike dhe ekonomike për vendin. U vu në rrezik ekzistenca e shtetit kombëtar shqiptar. Territori i Shqipërisë u pushtua nga forcat e armatosura të shteteve ndërluftuese, duke e shndërruar atë në shesh lufte. Në tetor 1914 Greqia pushtoi Shqipërinë e Jugut (Korçën e Gjirokastrën); po në tetor, Italia u vendos në ishullin e Sazanit dhe në dhjetor 1914 pushtoi Vlorën; në qershor 1915 Serbia pushtoi Shqipërinë e Mesme, ndërsa Mali i Zi u shtri ne Shqipërinë e Veriut. Në prill 1915, midis Italisë dhe Fuqive të Antantës u nënshkrua Traktati i Fshehtë i Londrës, sipas të cilit shteti shqiptar ndahej midis katër vendeve fqinje. Nga viti 1916 deri më 1918, në Shqipëri, vija e frontit midis forcave ndërluftuese austro-hungareze e bullgare dhe forcave serbo-malazeze e italiane fillonte nga derdhja e Vjosës në Adriatik, ndiqte përafërsisht vijën përgjatë këtij lumi, kalonte në jug të Beratit, në Skrapar, për të dalë në Pogradec. Në njërën anë të frontit ishin forcat austriake e bullgare, në tjetrën forcat italiane e franceze. Këto të fundit hynë në krahinën e Korçës në tetor 1916, ndërsa forcat italiane kaluan në Shqipërinë e Jugut, duke dëbuar prej andej trupat greke dhe u lidhën me aleatët e tyre francezë në Kolonjë. Gjatë Luftës së Parë Botërore ekonomia e vendit pësoi shkatërrime të ndjeshme, sidomos bujqësia e blegtoria. Me qindra ishin fshatrat e djegura dhe të rrënuara. Në mbarim të Luftës së Parë Botërore, i gjithë territori i shtetit shqiptar u pushtua nga forcat e fituesve të luftës. Në rrethet e Korçës dhe të Pogradecit e pjesërisht në ato të Librazhdit, të Gramshit e të Skraparit ndodheshin forca ushtarake franceze; në krahinat verilindore të vendit u vendosën forca serbe, që shtriheshin përafërsisht në rrethin e Peshkopisë e në krahinën e Lumës; në qytetin e Shkodrës u vendos një garnizon ushtarak ndëraleat, kurse në pjesën tjetër më të madhe të vendit ishin shtrirë forcat italiane. Ato u larguan nga Shqipëria në gusht të vitit 1920, ndërsa forcat serbe në fund të vitit 1921. (Në fotografi: Hartë historike e Frontit Lindor gjatë Luftës së Parë Botërore.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1551.

Fotografia: © https://www.britannica.com/event/World-War-I/The-Serbian-campaign-1914

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img