Shtjefën Gjeçovi

Lexo ngjarje:

Në Janjevë të Kosovës lindi Shtjefën Gjeçovi (Mëhill Konstandin Gjeçi Kryeziu), shkrimtar, publicist, përkthyes, klerik, etnograf, arkeolog. Mësimet e fillores i kreu në vendlindje. Më 1884 hyri në Kolegjin Françeskan të Troshanit (Vilajeti i Shkodrës). Më 1988, pas përfundimit të kolegjit, shkoi në kuvendin e Fojnicës (Bosnjë). Vijoi mësimet në Derventë, në Banja-llukë. Mësimet teologjike i kreu në Kreshevë. Më 1896 u caktua meshtar në Troshan. Aty e mori emrin e ri Shtjefen-Kostandin. Shërbeu në Rubik dhe më 1897 u transferua famullitar në Zllakuqan të Klinës. Ishte mësues i shkollës së parë shqipe të Zllakuqanit. Vazhdoi të punojë edhe në vise të tjera: në Laç të Kurbinit (rihap shkollën shqipe), në Gomsiqe të Mirditës, në Durrës, në Vlorë, në Shkodër dhe, si mësues i shqipes, në Arbënesh të Zarës (1905). Në vitet e fundit të jetës u kthye me punë në Zym të Hasit. Më 1929, për shkak të veprimtarisë patriotike, arsimore dhe kulturore u vra nga serbët në Kodrën Rrezin të Zymit të Hasit të Thatë. Veprimtaria e Shtjefën Gjeçovit përfshin shumë vepra të botuara dhe dorëshkrime. Veprat e tij të botuara janë: “Kanuni i Lekë Dukagjinit ner Malcina t’Mdhaa”, botuar në vazhdim në revistën Albania (1898–1899); “Dashtunia e atdheut”, (dramë, 1901); “Agimet e Gjytetniis”, vepër morale didaktike (1910); “Princi i dy Dibrave apo Mojsi Golemi” (1904); “Tradhti gjaksore (Vrasja e Mark Kulit)” (1906); “Përkrenarja e Skënderbeut” (1914). Mblodhi thesarin popullor nga kultura materiale dhe shpirtërore, shumë objekte arkeologjike dhe formoi muzeun françeskan, ku ekspozoi eksponate të rëndësishme muzeore, armë, veshmbathje dhe gjësende të tjera të rralla. (Në fotografi: Shtjefën Gjeçovi)

Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 539–540.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Shtjef%C3%ABn_Gje%C3%A7ovi

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img