6 – 7 qershor 1944
U zhvilluan “Luftimet në Qafën e Gjarprit dhe në Gurin e Prerë”, luftime nga më të ashprat që zhvilluan forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare gjatë mësymjes së përgjithshme armike të qershorit 1944. Për kapjen e këtyre dy qafave me rëndësi të madhe strategjike, që lidhin krahinën e Oparit me atë të Tomorricës, komanda gjermane e operacionit hodhi në luftim mbi 2000 ushtarë nazistë, mbi 45 topa e mortaja. Nga forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, në fillim, në luftimet mbrojtëse morën pjesë batalionet IV, V dhe batalioni “Antonio Gramshi” të Brigadës I Sulmuese, si dhe partizanë të batalionit partizan të Dumresë e të Shpatit, gjithsej rreth 550 luftëtarë. Më pas hynë në luftim dhe tri batalione të Brigadës V Sulmuese me rreth 450 luftëtarë të tjerë. Në mesditën e 6 qershorit, forcat e Brigadës I Sulmuese dhe ato vendëse thyen të gjitha sulmet e forcave gjermane dhe mbrojtjen e tyre në Qafën e Gjarprit e në Gurin e Prerë. Natën e 6–7 qershorit, forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare kundërsulmuan në mënyrë të shpejtë mbi forcat naziste. Armiku u detyrua të ndalet, të ndryshojë drejtim dhe të mos shkelë dot në krahinën e Tomorricës. Gjatë gjithë luftimeve të zhvilluara në Qafën e Gjarprit e në Gurin e Prerë ranë dëshmorë 30 luftëtarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Nga forcat gjermane u vranë dhe u plagosën mbi 150 ushtarë e oficerë. (Në fotografi: Pamje nga krahina e Oparit.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1564–1565.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Opari
Përpunim grafik: AHCF




