14-23 Korrik 1908
U mblodh Kuvendi i Ferizajt, manifestim masiv kundërosman i shqiptarëve të Kosovës, i drejtuar, njëherazi, kundër ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në tokat shqiptare. Koncesioni i hekurudhës Uvac-Mitrovicë dhe fillimi i ndërtimit të saj nga austriakët, si dhe marrëveshja anglo-ruse e Revalit (qershor 1908) për “reformat” e reja në Maqedoni, i dhanë shkas shpërthimit në Kosovë të një lëvizjeje të fuqishme popullore për mbrojtjen e vendit nga synimet e Austro-Hungarisë dhe të Rusisë për të copëtuar tokat shqiptare. Në mbledhjen e parë të Kuvendit, më 14 korrik, të tubuarit u shprehën kundër ndërhyrjeve të huaja, kundër reformave që do të sillnin copëtimin e trojeve shqiptare dhe për masat që do të merreshin për mbrojtjen e vendit nga një invazion i jashtëm i mundshëm. Propaganda e dendur e Xhonturqve kundër Fuqive të Mëdha dhe sulltanit, si edhe premtimet e tyre për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe tërësinë e tokave të tyre me anë të kushtetutës, bënë që shqiptarët e mbledhur në Ferizaj, të bashkoheshin me Komitetin “Bashkim e Përparim” dhe të përkrahin revolucionin xhonturk. Më 20 dhe 22 korrik 1908 Kuvendi i Ferizajt, në emër të 30 mijë shqiptarëve të armatosur e të mbledhur atje, nën udhëheqjen e Isa Boletinit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Mustafa Litës, Idriz Seferit etj., i dërgoi sulltanit dy telegrame njëri pas tjetrit, ku kërkohej shpallja e Kushtetutës dhe thirrja e parlamentit. Më 23 korrik kryengritësit shqiptarë, pa ardhur përgjigjja nga Stambolli, shpallën Kushtetutën në Manastir, Preshevë, e qendra të tjera. Përkrahja që u dhanë Turqve të Rinj shqiptarët e mbledhur në Kuvendin e Ferizajt, ishte një nga faktorët e rëndësishëm dhe vendimtar që përcaktoi shpalljen nga sulltani të Kushtetutës, më 23–24 korrik 1908, gjë që shënoi edhe fitoren e revolucionit xhonturk. (Në fotografi: Pamje nga Ferizaj, Kosovë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1435–1436.
Fotografia: © https://ferizajpress.com/
Përpunim grafik: AHCF




