Krijimi i Arkivit Qendror Shtetëror

Lexo ngjarje:

U krijua Arkivi Qendror Shtetëror i Republikës së Shqipërisë, institucion qendror për mbledhjen, ruajtjen, përpunimin dhe botimin shkencor të dokumenteve me vlera historike, qendër për drejtimin e punës arkivore dhe të rrjetit arkivor në Shqipëri. Arkivi Qendror Shtetëror u krijua me urdhrin e Këshillit të Ministrave nr. 21, datë 08.06.1949, pranë Institutit të Shkencave. Deri në atë kohë në Shqipëri nuk ka pasur një institucion qendror arkivor. Prej vitit 1955 funksionoi si Drejtori e Arkivave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe përbëhej nga Arkivi Qendror i Republikës Popullore të Shqipërisë (për fondet e periudhës pas vitit 1944) dhe Arkivi Qendror Historik i Republikës Popullore të Shqipërisë (për fondet para 29 nëntorit 1944). Më 1963 u ngrit Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit në varësi të Këshillit të Ministrave dhe dy arkivat qendrorë u shkrinë në Arkivin Qendror Shtetëror. Drejtoria e Përgjithshme drejton punën arkivore për administrimin e Fondit Arkivor Kombëtar dhe përgatit rregullat e udhëzimet metodike për të gjithë arkivat e Republikës së Shqipërisë. Arkivi Qendror Shtetëror ruan dokumente që nga mesjeta e hershme deri sot, që pasqyrojnë historinë e popullit shqiptar, luftërat e tij për liri, pavarësi e kulturë kombëtare dhe arritjet për demokratizimin e vendit. Dokumentet më të vjetra janë: Kodiku i Argjendtë i shekullit VI dhe Kodiku i Artë i shekullit IX. Dokumentet laike nisin nga shekulli XV. Nga shekulli XIX deri më 1912 ka një fond të pasur sidomos për epokën e Rilindjes Kombëtare. Aktet zyrtare të shtetit shqiptar 1912–1920 janë mjaft të cunguara. Administrata shtetërore ka dokumente më të plota pas vitit 1920 deri në ditët tona. Në vitin 1992 u transferuan në Arkivin Qendror Shtetëror dokumentet e Arkivit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. (Në fotografi: Pamje nga godina e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 112–113.

Fotografia: © https://tirananews.al/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img