Në Tepelenë u zhvillua “Gjyqi Ushtarak i Zhapokikës”, një gjyq ndaj kryengritësve kundër regjimit komunist. Gjyqi Ushtarak i Zhapokikës u zhvillua tetë muaj pas kryengritjes antikomuniste të armatosur në muajt shtator-tetor të vitit 1948. Kjo lëvizje ishte një kryengritje antikomuniste e banorëve të fshatit të Zhapokikës ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe një përpjekje e qartë kundër regjimit diktatorial. Ishte një revoltë me armë e organizuar dhe e menduar mirë, me detyra politike dhe luftarake të përcaktuara e të studiuara. Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, një i ri 30-vjeçar, ish-partizan. Në përbërje të çetës kishte ushtarë, komunistë, ish-partizanë, policë të zonës e nëpunës të administratës lokale. Detyra luftarake e çetës ishte: të luftonte me armë derisa në Shqipëri të vinte në fuqi një qeveri demokratike. Pas zgjedhjes së shtabit të komandës, komandant u zgjodh ish-xhandari 59-vjeçar, Bajram Kamberi. Më 10 tetor, në qafën e Gllavës u bë beteja me forcat e shumta qeveritare, ushtarë dhe policë të ardhur nga Tepelena dhe nga Berati. Mbesin të vrarë dy policë dhe dy kryengritës. Çeta përfundimisht u shpartallua. Xhemal Brahimi u arratis fillimisht në Greqi pastaj në SHBA. Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës, me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes, duke i akuzuar se në shtator–tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor. Komandant Barjam Kamberi u dënua me pushkatim e u ekzekutua në Gjirokastër, më 21 korrik 1949. Të tjerët, u dënuan me burgime të rënda. Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri në vitin 1991. Të gjithë të dënuarve iu sekuestrua pasuria dhe e humbën të drejtën elektorale. Kryengritja e Zhapokikës ishte kryengritja e fundit kundër regjimit komunist dhe dëshmi që komunizmi nuk u kundërshtua me armë vetëm në veri, por edhe në jug. (Në fotografi: Komandant Barjam Kamberi)
Teksti: Agjencia Telegrafike Shqiptare
Fotografia: © https://kujto.al/personat/bajram-kamberi/
Përpunim grafik: AHCF




