Në fshatin Baz (Mirditë) lindi Gjin Marku, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjeneral. Kreu shkollën bujqësore të Kavajës dhe punoi teknik bujqësie në rrethin e Korçës. Nga viti 1937 mori pjesë aktive në grevat dhe manifestimet antifashiste. Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare që nga formimi i saj. Në Konferencën e Parë të vendit të Partisë Komuniste Shqiptare (mars 1943) u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror. Gjatë periudhës mars 1942 – mars 1944 drejtoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në qarkun e Beratit. Më 17 mars 1944 u emërua komandant i Brigadës VII Sulmuese; më 18 nëntor 1944, komandant i Divizionit VI Sulmuese. Në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare në Helmës (Skrapar), në maj 1944, u kritikua për kompromis ndaj gjermanëve dhe qëndrim oportunist ndaj Ballit Kombëtar në qytetin e çliruar të Beratit dhe u përjashtua nga Komiteti Qendror. Pas çlirimit shërbeu fillimisht si atashe ushtarak në Moskë, ku ndoqi dhe studimet e larta ushtarake në akademinë “Frunze” (1945–1948). Më 1949, u gradua gjeneral. Gjatë viteve 1948–1961 punoi në ushtri me detyrë komandant i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve; në vitet 1961–1964, shef i Degës Ushtarake në Vlorë. Në vitin 1964 u largua nga ushtria dhe u emërua drejtor i fermës së Llakatundit (Vlorë). Pas dy vjetëve u internua në ishullin e Zvërnecit (Vlorë) dhe mandej u arrestua e u dënua me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, dënim që iu ripërsërit 10 vjet më vonë. U nda nga jeta në spitalin e burgut të Burrelit, më 1986. (Në fotografi: Gjin Marku)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1634.
Fotografia: © https://www.gazetatema.net/
Përpunim grafik: AHCF




