Njihet si dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek. Më 27 qershor të vitit l944, nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva, nisin masakrat ndaj popullsisë çame. Çamëria përbën grupin e katërt të krahinave etnografike, që formojnë Toskërinë, e cila sot në territorin grek përkon me prefekturën e Thesprotisë. Në kohërat antike Thesprotët, së bashku me fiset Molose e Kaone përbënin fiset kryesore të Epirit. Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, nga lumi i Pavllës e deri në gjirin e Prevezës, ku bëjnë pjesë rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Paramithisë, të Pargës e të Prevezës. Çamëria zë një sipërfaqe prej 4 000 km katrorë, me një vijë bregdetare prej 107–108 km. Ajo ka një popullsi prej më shumë se 75 000 frymësh, e cila është tërësisht shqiptare. Trojet shqiptare të Çamërisë u zaptuan nga Greqia gjatë luftërave ballkanike dhe u aneksuan nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimin e 11 gushtit të vitit 1913. Vija përfundimtare e kufirit u vendos në Traktatin e Firences, më 17 dhjetor 1913. Traktati i Lozanës i vitit 1923 u dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës, që të dëbojnë me dhunë çamët nga trojet e tyre. Masakrat ndaj popullsisë çame nisi më 27 qershor të vitit l944, nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva. Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në rajonin e Paramithisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë. Popullsia e Parathimisë u kap në befasi. Numri i civilëve të vrarë ka qenë: në Filat 1286, në Gumenicë 192, në Pargë 620 dhe gjatë periudhës 27 qershor 1944 deri në mars 1945, u vranë 2771 civilë. Si pasojë e këtij gjenocidi, rreth 25 000 e pjesës së popullsisë myslimane së Çamërisë u shpërngulën dhe u vendosën në qytetet shqiptare. Gjatë shpërnguljes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 30 qershor 1994 e shpalli 27 qershorin si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Shumë pjesëtarë të komunitetit çam, më 27 qershor të çdo viti përkujtojnë në Qafë-Botë të afërmit e tyre që u masakruan nga shteti grek, gjatë viteve 1913–1944. (Në fotografi: Pamje nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, 30 qershor 1994.)
Teksti: Muzeu Historik Kombëtar
Fotografia: © https://memorie.al/
Përpunim grafik: AHCF




