Formimi i Qeverisë Demokratike

Lexo ngjarje:

Formohet “Qeveria Demokratike”, e para qeveri demokratike në Shqipëri. Formimin e saj e mundësoi fitorja e Revolucionit demokratik të Qershorit 1924. Kryeministri i saj ishte Fan S. Noli. Qeveria Demokratike përbëhej nga 6 ministri. Ministër i Punëve të Brendshme, Rexhep Shala; i Punëve të Jashtme, Sulejman Delvina; i Financave, Luigj Gurakuqi; i Luftës, Kasëm Qafëzezi; i Drejtësisë, Stavro Vinjau; i Punëve Botore dhe Bujqësisë, Qazim Koculi; ministër pa portofol, Xhemal Bushati. Programi i Qeverisë Demokratike u shpall më 19 qershor. Ai kishte përmbajtje demokratike dhe antifeudale. Synonte të mënjanonte mbeturinat e rendit feudal në qytet dhe sidomos në fshat me kryerjen e reformës agrare, që do të ndihmonte në zhvillimin më të shpejtë të kapitalizmit. Programi parashikonte kryerjen e një vargu reformash të tjera përparimtare në sektorë të ndryshëm të jetës shtetërore e shoqërore. Në politikën e jashtme, Qeveria Demokratike u shpreh për vendosjen e marrëdhënieve miqësore me të gjitha shtetet, në radhë të parë me vendet fqinje. Programi i Qeverisë Demokratike të vitit 1924, megjithëse pati mbështetje të gjerë popullore, nuk arriti të vihej në jetë. Qeveria Demokratike nuk mundi të ishte e qëndrueshme dhe të konsolidohej. Në gjirin e saj lindën kontradikta për zbatimin e programit. Ajo nuk pati as mbështetjen e vendeve fqinje, të cilat mbajtën ndaj saj qëndrim kundërshtues, veçanërisht Jugosllavia. Fuqitë e Mëdha të Evropës Perëndimore nuk vendosën me Qeverinë Demokratike marrëdhënie të rregullta diplomatike. Pas këtyre qëndrimeve fshiheshin interesa ekonomikë dhe politikë të caktuar. Ato nuk u pajtuan me rrugën revolucionare me të cilën erdhi në fuqi Qeveria Demokratike dhe kërkuan legalizimin e saj me zgjedhje të rregullta parlamentare. Qeveria Demokratike vendosi marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, por ky hap shtoi reagimin e Fuqive Perëndimore kundër saj. Qeveria Demokratike qëndroi në fuqi 6 muaj, deri më 24 dhjetor 1924. Forcat e saj nuk mundën të përballonin ndërhyrjen e armatosur të forcave zogiste të organizuara në Jugosllavi dhe të mbështetura fuqimisht nga forca të armatosura jugosllave. Anëtarët e Qeverisë Demokratike dhe shumë demokratë të tjerë e lanë vendin, disa përkohësisht e të tjerë përgjithmonë. (Në fotografi: Fan Noli)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2152–2153.

Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img