Në Tiranë lindi Bujar Luca, piktor shqiptaro-francez. Është një artist i suksesshëm në Paris, ku ai jeton dhe krijon që pas vitit 1990. Luca ka kryer studimet e larta për skenografi në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë (1978) dhe ishte piktor filmi në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”. Bujar Luca përvijon me këmbëngulje prirjen e tij pikturale përmes një arti abstrakt, por që në vetvete ka dhe anën figurative, pra shenjat, simbolet, domethëniet e gjestin piktural, të cilat duhet t’i vëzhgosh e t’i zbulosh brenda telajove të tij grafike. Mesazhi i punimeve të tij në formë ciklesh është “liria”. Artisti Bujar Luca është vlerësuar me disa çmime, si “Ambasador i Kombit”, medalje nga Presidenti i Shqipërisë (2008), “Medalje argjendi” nga Fondacioni “Richard Lounsbery” (2006) dhe tri herë fitues i çmimit të parë në festivalin e filmit shqiptar si piktor kostumograf (1979, 1981, 1985). (Në fotografi: Vepra e Lucës “Rruga e Kavajës”, 1980, vaj në kanavacë.)
Teksti: Ylli Drishti, 100 vjet Tirana në pikturë; 1920–2020, “Mediaprint”, Tiranë, 2020, faqe 81.
Fotografia: © Drishti Y., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




