Anton Luli

Lexo ngjarje:

Në Lohe të Shkodrës lindi at Anton Luli, klerik katolik. Më 1924, filloi Seminarin Papnor në Shkodër. Në Shkodër dhe në Seminar dha gjuhë italiane, gjuhë shqipe, histori e gjeografi. Pas tri vitesh mësuesie, njërin prej të cilëve në Tiranë, eprorët e dërguan për të kryer teologjinë në Shtëpinë e Shën Antonit, në Kieri, afër Torinos, ku dhe u shugurua meshtar më 13 maj 1942. Në gusht 1943 u kthye përfundimisht në Shkodër. Në janar 1946, imzot Frano Gjini e emëroi rektor të Kolegjit Saverian dhe të Seminarit Papnor. Pas mbylljes së tyre, u caktua famullitar në famullinë e Shkrelit. U arrestua më 19 dhjetor 1947, për agjitacion e propagandë. Në pritje të procesit gjyqësor, u mbajt për tetë muaj e gjysmë në burgun e Koplikut. Në procesin gjyqësor që u zhvillua në nëntor të vitit 1948 në Shkodër, u dënua me shtatë vjet punë të detyruar. Pjesën më të madhe të dënimit e vuajti në kampin e punës, në Beden të Kavajës. Prej aty, pas gjashtë vitesh u transferua në burgun e Burrelit, prej nga u lirua më 20 tetor 1954. Iu lejua të shërbente sërish, ndaj më 15 maj 1955 u caktua në Shënkoll të Lezhës, ku shërbeu deri më 6 dhjetor 1966, kur kisha u mbyll e u përdor si “sallë kulture”. Për dhjetë muaj ndenji tek i vëllai, në Lohe, ku punoi në kooperativë me bashkëfshatarët e tij. Më 30 prill 1979 u arrestua për të dytën herë. Në pritje të gjyqit, u mbajt për nëntë muaj në burgun e Sigurimit, në Shkodër. Më 6 nëntor 1979, u dënua me vdekje, me pushkatim; pas dy ditësh dënimi iu kthye në njëzetë e pesë vjet heqje lirie e pesë vjet internim. Dënimin e filloi në kampin e Ballshit. Pas Ballshit, u transferua në kampin e Shënkollit, në Lezhë, e prej aty në Përparim të Sarandës. U lirua më 15 prill 1989. Meshën e parë e tha në varrezat e Bushatit, më 25 nëntor 1990. U nda nga jeta më 1998. (Në fotografi: Anton Luli me papa Gjon Palin II, 7 nëntor 1996)

Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 111–112.

Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img