Në fshatin Kostrec të Përmetit lindi Viktor Kostreci, mësues e studiues. Kur ishte 6 muajsh, familja e tij u vendos në fshatin Drenovë të Korçës. Si i vetmi fëmijë në familje, ai u rrit me kujdesin e veçantë të prindërve. Familja e tij u lidh me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare që në fillimit e saj. Shtëpia e tyre ishte bazë partizane. Shkollën fillore e kreu në Drenovë (1946–1950), atë 7-vjeçare dhe të mesmen në Korçë (1950–1957). Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës (1957–1961) në Fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe; u diplomua në vitin 1961 si mësues gjuhë-letërsie për shkollat e mesme. Më 15 gusht 1961 emërohet mësues në shkollën 11-vjeçare të Bilishtit dhe në vitin e dytë shkollor u emërua zëvendësdrejtor i kësaj shkolle. Në vitet 1963–1966 punon si Inspektor i Arsimit për zonën e Devollit në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Korçës. Në vitin 1966, familjarisht vendoset në Maliq. Në vitet 1970–1974, ka ushtruar detyrën e drejtorit të shkollës 8-vjeçare në Maliq dhe njëkohësisht si drejtor i përgjithshëm për shkollat 8-vjeçare në zonën e Maliqit dhe fshatrave përreth. Gjatë këtyre viteve jep lëndën e gjuhë-letërsisë në shkollën e Maliqit. Nga viti 1970 e në vazhdim, Viktor Kostreci ishte kryetar i Frontit Demokratik për qytetin e Maliqit. Viti 1991 ishte viti i fundit si mësues. Në vitin 1992 deri në vitin 1996, u zgjodh kryetar i Komunës së Maliqit, si përfaqësues i Partisë Socialiste. Gjatë kohës si kryetar komune ka kontribuar në përmirësimin e jetës në qytetin e Maliqit, në hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës së këtij qyteti. Më pas u tërhoq nga jeta politike dhe doli në pension. Në vitin 1999 u zhvendos për të jetuar në qytetin e Vlorës pranë djalit të madh. Pasionet e tij ishin librat dhe filatelia. Koleksioni i tij i kalon dhjetë mijë copë pullash. Edhe sot, si pensionist, pjesën më të madhe të kohës e kalon duke shfletuar librat dhe internetin mbi nobelistët dhe shkrimtarët e shquar. Nga viti 2010 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka marrë nënshtetësinë amerikane. (Në fotografi: Viktor Kostreci)
Teksti: Skerdi dhe Maltin Kostreci
Fotografia: © Familja Kostreci
Përpunim grafik: AHCF




