Në Tiranë u përurua kinostudioja “Shqipëria e Re”, ndërmarrje kinematografike kombëtare, që prodhonte filma artistikë, dokumentarë dhe vizatimorë. Vijoi të funksiononte deri në vitin 1992, kur u nda në tri institucione: Alba Film Studio, Alba Film Animacion dhe Albafilm Distribucion. Me ngritjen e Kinostudios, si një institucion i rëndësishëm artistik, u vu mbi baza teknike industriale kinematografia e re shqiptare. Më 1958 u prodhua filmi i parë artistik “Tana”. Më pas u rrit prodhimi i kinoditarëve, i filmave kronikalë, dokumentarë e artistikë, si dhe u zgjerua tematika dhe larmia e gjinive të tyre. Më 1975 u prodhua filmi i parë vizatimor “Zana dhe Miri”. Gjatë periudhës 1970–1980 prodhimi kinematografik u shtua, duke dhënë vepra me vlera ideoartistike. Gjatë vitet ’80 të shekullit XX, kinostudioja “Shqipëria e Re” prodhonte rreth 14 filma artistikë në vit, 40 filma dokumentarë e kronikalë, 16 filma vizatimorë në teknikë të ndryshme. Kinostudioja “Shqipëria e Re” përbëhej nga tre sektorë bazë të specializuar: i filmit artistik, i filmit dokumentar, i filmit vizatimor, me redaksitë përkatëse. Kishte arkivin shtetëror të filmit, reparte teknike të pajisura me aparatura, atelie, salla incizimi e dublimi, mjedise montazhi, muzike, zhurme etj. Filmat shfaqeshin në 450 salla kinemaje, me kinema lëvizëse dhe nëpërmjet televizionit. (Në fotografi: Godina e ish-kinostudios “Shqipëria e Re”, Tiranë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1174.
Fotografia: © https://openmuseum.al/kinostudio-shqiperia-e-re/
Përpunim grafik: AHCF




