8 – 10 korrik 1945
U organizua “Mbledhja e Prizrenit”, mbledhje e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës (që shpesh është quajtur Kuvendi i Prizrenit). U mbajt në qytetin e Prizrenit. U thirr menjëherë pas mbarimit të luftës, për të miratuar vendimet e forumeve më të larta të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe të popullit shqiptar brenda Federatës Jugosllave. “Zgjidhjet” e përcaktuara paraprakisht në Beograd, e kishin lënë Kosovën brenda Federatës Jugosllave dhe nuk kishin njohur statusin e barabartë të saj me atë të njësive të tjera të Jugosllavisë, status të cilin ajo e kishte fituar gjatë luftës antifashiste. Mbledhja u zhvillua kur në Kosovë ishin dyndur disa divizione jugosllave, operonin mbi 20 brigada me një efektiv me 40 mijë veta dhe ishte vendosur pushteti ushtarak. Në mbledhje u thirrën për të marrë pjesë 137 këshilltarë, që u përzgjodhën nga autoritetet jugosllave, si dhe përfaqësues nga Republika e Serbisë, e Malit të Zi dhe e Maqedonisë (sot Maqedonia e Veriut). Përbërja kombëtare e delegatëve nuk përkonte me përbërjen kombëtare të popullsisë. Shqiptarët që zinin 3/4 të popullsisë së përgjithshme të Kosovës, u përfaqësuan vetëm me 32 delegatë. Mbledhja, pasi dënoi qëndrimet e delegatëve shqiptarë që kërkuan respektimin e vullnetit të shqiptarëve, sanksionuar gjatë viteve të luftës me vendimet e Konferencës së Bujanit (1943), miratoi Rezolutën e përgatitur në Beograd dhe të hartuar në gjuhën serbokroate. Rezoluta sanksiononte aneksimin e Kosovës në kuadrin e Serbisë e të Jugosllavisë, duke mohuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje. Kuvendi zgjodhi deputetët që do të përfaqësonin Kosovën në Kuvendin e Republikës së Serbisë dhe në Kuvendin e Federatës Jugosllave. Aneksimi i Kosovës si rajon autonom në kuadrin e Republikës së Serbisë u konstituua me vendim të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë, më 23 korrik 1945, u rikonfirmua nga Presidiumi i Asamblesë serbe, më 3 shtator 1945 dhe u sanksionua përfundimisht nga Kushtetuta e Republikës së Federatës Jugosllave e vitit 1946. (Në fotografi: Pamje e Prizrenit, fillimi i shek. XX.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1667.
Fotografia: © CHwB – Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Kosovë.
Përpunim grafik: AHCF




