U organizua “Kongresi i Lipovicës (Blinajës)”, kongres i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare, i mbajtur në fshatin Lipovicë (Blinaje) të Lipjanit. U thirr me kërkesën e krerëve të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare: Ajet Gërguri, Gjon Serreçi, Azem Morana, Qemajl Skënderi etj. Prej gjithsej rreth 230 delegatëve të thirrur, në Kongres kishin arritur rreth 150 delegatë, të cilët përfaqësonin mbi 30 000 anëtarë të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. Disa nga delegatët kishin arritur në Blinajë më 24 korrik. Punimet e Kongresit i hapi Ilmi Zariqi, i cili në emër të një grupi delegatësh në kryesinë e punës propozoi Ajet Gërgurin, Gjon Serreçin dhe Hasan Bilallin, ndërsa për procesmbajtës propozoi Ukë Plakiqin. Në seancën e parë të Kongresit, sipas rendit të ditës të miratuar nga të gjithë delegatët, u lexuan tri referate. Referatin e parë, që ishte një raport për gjendjen në viset e pushtuara shqiptare, e paraqiti Ajet Gërguri, Gjon Serreçi foli për rolin dhe rëndësinë e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare, ndërsa Arif Shala për rëndësinë e Luftës së Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Më pas delegatët paraqitën kushtet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqoheshin në terren. Në seancën e dytë, Kongresi miratoi dy rezoluta: në rezolutën e parë kërkohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe jetësimi i vendimeve të Konferencës së Bujanit, ndërsa me rezolutën e dytë kërkohej krijimi i Ushtrisë Popullore Shqiptare të Kosovës, emërimi i shtabit suprem prej 8 anëtarësh dhe i komandantit të përgjithshëm. Kongresi gjithashtu zgjodhi Komitetin Qendror të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare prej 27 anëtarësh. Pas kongresit u mbajt mbledhja e parë e Komitetit Qendror të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare, në të cilën me vota të hapura kryetar u zgjodh Ajet Gerguri, zëvendës Hasan Bilalli, sekretar i përgjithshëm Gjon Serreçi. Në kuadër të Komitetit Qendror u zgjodhën 4 komisione profesionale dhe organe të përhershme ekzekutive: 1) Komisioni për mbrojtje dhe siguri kombëtare; 2) Komisioni për marrëdhënie me botën e jashtme; 3) Komisioni për informim, propagandë dhe agjitim; dhe 4) Komisioni për financa, ekonomi dhe furnizim. Edhe përkundër faktit se kongresi u zhvillua në ilegalitet, pjesëmarrësit u dekonspiruan shpejt dhe shumë shpejt pasoi ndjekja, likuidimi, burgosja dhe dënimi me shumë vite burg, pothuaj i të gjithë pjesëmarrësve dhe udhëheqësve të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. (Në fotografi: Pamje nga fshati Lipovicë.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 844.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Lipovica_%28Gjilan%29
Përpunim grafik: AHCF




