Në Bruksel, doli numri i parë i revistës “Albania” (1897–1909), revistë e përdyjavshme politike, kulturore, shkencore e letrare. Pas daljes së numrit të parë, nga viti 1903 deri më 1909, revista doli në Londër. Botohej në shqip e frëngjisht, në disa pjesë dhe turqisht, me një shtesë edhe në anglisht. Nën drejtimin e Faik Konicës (me pseudonimin Thrank Spiro beg), u bë organi më i rëndësishëm i shtypit të Rilindjes. “Albania” u dha vend të gjerë çështjeve politike e letrare, materialeve folklorike e çështjeve etnologjike, artikujve e dokumenteve për historinë e Shqipërisë, për traditat dhe kulturën e popullit shqiptar. Ajo u bë kështu një lloj enciklopedie që vinte në qarkullim një informacion të pasur kulturor, shkencor e historik. Duke botuar sidomos poezi, prozë artistike, prozë poetike, ose dhe publicistike, “Albania” kontribuoi për zhvillimin e këtyre gjinive dhe, në përgjithësi, për zhvillimin e letërsisë së Rilindjes. Në faqet e revistës u rrahën çështje të alfabetit dhe të shqipes letrare; revista luajti rol me rëndësi për stabilizimin e alfabetit dhe për lëvrimin e pasurimin e gjuhës së kulturës moderne të shqiptarëve. Shkrimet me karakter politik, historik e kulturor, të botuara edhe në frëngjisht, ndihmuan të bëhej e njohur çështja shqiptare në rrethet e huaja shkencore e kulturore. “Albania” përuroi kritikën letrare shqiptare, duke botuar shkrime e recensione për vepra e autorë shqiptarë dhe arbëreshë, midis të cilave spikasin gjykimet e mprehta kritike të drejtorit të saj. Në revistë bashkëpunuan një varg shkrimtarësh e veprimtarësh të shquar të kohës, si A. Z. Çajupi, F. S. Noli, Asdreni, Gj. Fishta, L. Gurakuqi, F. Shiroka, H. Mosi, Sh. Gjeçovi e të tjerë. (Në fotografi: Faqja e parë e revistës “Albania”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 44–45.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




