Mbërritja e Princ Vidit.

Lexo ngjarje:

Princ Vidi (Wilhelm Wied, 1876–1945) me oborrin e tij zbriti në Durrës. Çështja e kreut të fronit të shtetit të ri shqiptar, pas shumë bisedimesh mbi 17 kandidaturat, u zgjidh me caktimin e princit gjerman Vilhelm Vid (Wilhelm von Wied). Vidi pranoi të nisej për në Shqipëri vetëm pasi kërkoi dhe mori një paradhënie prej 10 milionë frangash për huanë prej 75 milionësh të garantuar nga të Gjashtë Fuqitë. Përpara se të nisej, Vidi vizitoi kryeqytetet e Gjashtë Fuqive të Mëdha që e kishin emëruar princ. I filloi vizitat në Romë e Vjenë në mes të shkurtit dhe brenda muajit vizitoi me radhë Londrën, Parisin, Berlinin e Peterburgun. Pas kësaj ai nxitoi për në Noj Vid (Neu Wied) për të pritur delegacionin shqiptar. Delegacioni prej 14 vetësh, i caktuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i kryesuar nga Esat Toptani, shkoi në Noj Vid, në Gjermani, ku më 21 shkurt 1914 i dorëzoi zyrtarisht Vilhelm Vidit kurorën e princit të Shqipërisë. Vilhelm Vidin e njohën si princ të Shqipërisë të gjitha Fuqitë e Mëdha, pas tyre edhe shtetet e tjera, duke përfshirë edhe shtetet e Ballkanit. Rrethet atdhetare në përgjithësi panë te princi gjerman simbolin e Shqipërisë së pavarur dhe personin që do t’i jepte një orientim perëndimor shtetit të ri. Ato shpresonin se princi do ta bashkonte Shqipërinë, do ta shpëtonte atë nga rreziku i copëtimit të mëtejshëm, nga veprimtaria separatiste dhe anarkiste e aristokracisë çifligare e bajraktare vendase dhe do të krijonte kushtet për zhvillimin e shpejtë ekonomik e shoqëror të saj. Ata kujtonin gjithashtu se princi i huaj e protestant, sipas tyre i pangatërruar në tarafet, krahinarizmat e ndarjet fetare në Shqipëri, do të ishte në gjendje të ushtronte me paanësi autoritetin e lartë në dobi të kombit shqiptar. Vilhelm Vidi nuk arriti të qëndronte gjatë në krye të fronit mbretëror shqiptar, për shkak të kryengritjes së shqiptarëve kundër tij, si dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore (1914). (Në fotografi: Mbërritja e Princ Vidit në Durrës, mars 1914.)

Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 58.

Fotografia: © https://thealbanianprofile.com/

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img