23–29 mars 1989
Në Kosovë u zhvilluan demonstrata masive për ruajtjen e autonomisë së Krahinës. Më 23 mars, kur Kuvendi Krahinor i Kosovës nën një dhunë të egër votoi amendamentet serbe, në Ferizaj shpërtheu demonstrata e parë masive, ku 5 mijë veta u përleshën ashpër me policinë. Ditën e dytë të demonstratave në Ferizaj, u arrestuan 174 veta. Demonstratat u shtrinë menjëherë në qytete të tjera të Kosovës. Përleshje pati në Suharekë, Podujevë, Gjilan, Prizren, Prishtinë etj. Në Kosovë u vendos ndalim qarkullimi, u mbyllën të gjitha shkollat deri tek universiteti, u ndaluan ditët e tregut etj. Nga 23 deri më 28 mars, kur Kuvendi i Serbisë miratoi amendamentet, u vranë 27 demonstrues shqiptarë, qindra të tjerë u plagosën dhe u arrestuan. Në analizat e forumeve politike të Jugosllavisë e të Serbisë, ngjarjet e përgjakshme të marsit u cilësuan si armiqësore dhe kundërrevolucionare. (Në fotografi: Moment nga demonstrata masive.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 446.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




