Në Shkodër lindi Vinçens Prenushi (me emrin e pagëzimit Kolë), poet, folklorist, publicist, përkthyes, teolog, klerik i lartë. Lindi në Shkodër. Më 1908, kreu studimet e larta për filozofi dhe teologji në Insbruk (Austri) dhe u shugurua meshtar. Pas kthimit në atdhe, punoi si mësues e më pas drejtor i Kolegjit Françeskan (1920). Mori pjesë në Komisinë Letrare Shqipe të Shkodrës. Në vitet 1918–1929 drejtoi revistën “Zani i Shna Ndout”, ndërsa më 1921–1924, “Hyllin e Dritës”. Vinçens Prenushi ka qenë një ndër dinjitarët kryesorë katolikë në Shqipëri: më 1936, u emërua ipeshkëv i Dioqezës së Sapës; më 1940, arkipeshkëv i Durrësit e i Tiranës; pas vitit 1944, qëndroi në fshatin Delbnisht të Laçit; gjatë vitit 1946, kryesoi Kishën Katolike Shqiptare. Vinçens Prenushi ka qenë një nga anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve (1945). Në vitin 1947 u arrestua dhe u dënua me 20 vjet punë të detyrueshme. Vdiq në burgun e Durrësit. Vepra më e rëndësishme e Vinçens Prenushit është përmbledhja me poezi lirike, atdhetare e të përshpirtshme “Gjeth e lule” (1924, 1931), që u bë shumë popullore. Vinçens Prenushi ka dhënë ndihmesa me vlerë edhe në fushën e folklorit. Më 1911, botoi në Sarajevë vëllimin “Kangë popullore gegnishte”. Nga viti 1916 deri më 1944, Vinçens Prenushi botoi 26 libra fetarë. U nda nga jeta nga torturat më çnjerëzore në burgun e Durrësit, në vitin 1949. (Në fotografi: Vinçens Prenushi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2081.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Vin%C3%A7enc_Prennushi
Përpunim grafik: AHCF




